Korridori 8, forcohet interesi për ndërtimin
U zhvillua dje paraqitja zyrtare e programit të mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të vendeve të Korridorit 8 (Itali, Shqipëri, Maqedoni) AMICO. Të pranishëm në takim ishin ambasadori i Italisë në Shqipëri, drejtoresha e Divizionit VII në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, Leonard Beqiri, zv.ministri i METE-s etj., nga spektri i biznesit. Programi AMICO është pjesë e rëndësishme e lobingut strategjik të qeverisë së Italisë në bashkëpunim me qeveritë e vendeve përfituese të rajonit të Ballkanit Perëndimor për përafrimin në kohë të sigurimit të financimeve të ndërtimit të Korridorit 8 nga Bashkimi Europian, në raport me projektet e tjera konkurrente në rajonin e Europës Juglindore. Korridori 8 para disa vitesh me vendim të Komisionit të BE-së ishte parashikuar të financohet pas vitit 2020, vendim i marrë në favor të projekteve konkurrente, kryesisht të projekteve që kalonin nga territori i Greqisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të Shqipërisë paraqitën në takim disa probleme të sektorit të transporteve, si pasojë e disa taksave shtesë për lejet e udhëtimeve, që rëndojnë kostot dhe pengojnë lëvizjen e mallrave ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
#