Pyetësori, nëntë misione mësyjnë Shqipërinë
Komisioni Europian do të dërgojë nëntë misione ekspertësh në Shqipëri për të verifikuar nga afër përgjigjet e dhëna nga administrata shqiptare në kuadër të pyetësorit të KE-së. Ky ishte informacioni që dha dje Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit Europian të mbajtur në Kryeministri. Në këtë kuadër, Berisha nuk nguroi të bënte edhe ironi, duke e quajtur këtë praktikë si të “Shën Thomait”, sipas batutës së një filmi shqiptar, që asgjë nuk besohet pa u parë. “Janë planifikuar të vijnë edhe 9 misione ekspertësh, pasi ndër të tjera komisioni ka edhe një specifikë. Nëse nuk i sheh gjërat vetë, nuk i beson, pra i lexon, por vjen edhe vetë këtu. Kjo është metoda më transparente që komisioni ka dhe përbën një avantazh shumë të madh për ne”, deklaroi Berisha në mbledhjen e djeshme të KNI-së. Por sipas Berishës, rëndësi për palën shqiptare ka fakti se vlerësimet për Pyetësorin kanë qenë në tërësi pozitive, ndonëse ka pasur paqartësi që kanë nevojë për një shpjegim të dytë. Po kështu, në mënyrë të veçantë Berisha vlerësoi faktin se brenda një muaji komisioni ka arritur të shqyrtojë të gjitha përgjigjet e Shqipërisë, në një kohë shumë më të shkurtër se ajo që iu desh për t’i shkruar palës shqiptare. “Dokumenti është vlerësuar pozitivisht dhe përgjigjet janë trajtuar, do të thosha me shpejtësi rekord, sepse ne e dorëzuam atë më 14 prill dhe në një hark kohor më pak se një muaj, komisioni, siç pritej, dërgoi rreth 180 pyetje të reja, si dhe ka kërkuar sqarime”, deklaroi Berisha. Por sipas Berishës, sqarimet dhe kthimi i përgjigjeve të reja të kërkuara nga komisioni duhet të përfundojnë përpara datës 10 qershor, për të mos krijuar vonesa të panevojshme në proces. Sipas Berishës, kjo datë konsiderohet si e mbarë për historinë e Shqipërisë, duke qenë se afër kësaj date është firmosur edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Komisionit Europian dhe Shqipërisë. “Mbetet që në njësi kohe sa më të shkurtër, dhe për këtë ka një datë, 10 qershori, në të cilën ata i presin. Një datë kjo shumë e rëndësishme. Ndonëse nuk përkon ditë më ditë me datën e firmosje së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, më 12 qershor, por këto dy data ne i kemi data të mëdha në historinë tonë kombëtare”, deklaroi Berisha në mbledhjen e djeshme në Kryeministri. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë kërkoi që përgjigjet të ishin të shkurtra dhe koncize, pa shtuar në to “miell dhe ujë”. Kërkesa e Kryeministrit për përgjigjet e pyetësorit ka qenë gjithmonë që ato të jenë të shkurtra, të detajuara dhe me një gjuhë angleze të afërt kundrejt asaj që përdoret në Bruksel.
#