Korrupsioni, Berisha: Mbajta premtimin
OERD ULQINI
Ndryshe nga vitet e tjera, kryeministri Sali Berisha ka nisur fushatën elektorale nga Durrësi, i cili si qark me ndarjen e re zgjedhore do të çojë në Parlament 13 deputetë. Në mitingun e zhvilluar në shëtitoren bregdetare “Taulantia” (ashtu sikurse edhe 4 vjet më parë), kreu i demokratëve tha se në fund të këtij mandati të parë rezulton se janë mbajtur të gjitha premtimet e bëra përpara 3 korrikut. Sipas Berishës, në katër vite vendi fitoi besimin e Bashkimit Evropian dhe përmes të cilit u bë i mundur ratifikimi nga të 27 parlamentet e Unionit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. “Ne së bashku bëmë që në katër vjet Shqipëria të renditet më e mira në Ballkan dhe në 10-ën më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Ne së bashku bëmë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për klimën e biznesit, ne së bashku bëmë që Shqipëria të lërë mbrapa 126 vende të planetit. Çdo vlerësim që ne e kemi marrë e kemi në sajë të djersës, mundit, punës tonë”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai i kërkoi votën qytetarëve të Durrësit për një mandat të dytë, duke u bërë thirrje atyre të votojnë për kandidatët e Partisë Demokratike. “Së bashku le të shkojmë të votojmë në 28 qershor, të marrim pjesë të gjithë në votime. Të votoni për Ferdinand Xhaferrin, të votoni për Albana Vokshin, të votoni për Gazmend Oketën, për Eduart Halimin, Liljana Kolën, Ylli Lamën dhe të gjithë kandidatët për deputetë të Durrësit”, theksoi kreu i qeverisë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha përmendi reformat ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit, falë të cilit sipas tij u arrit të kurseheshin 5 miliardë dollarë. “Ne u bëmë të besueshëm sepse, si asnjë vend tjetër, dyfishuam pensionet në fshat dhe i rritëm me 50-70% ato në qytet, dyfishuam rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve. Ne u bëmë të besueshëm, sepse Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shëngjinin vjet i kanë vizituar 2.7 milionë turistë kundrejt 300 mijë në vitin 2004”, vijoi më tej Berisha. Duke u ndalur tek investimet në infrastrukturë, kreu i ekzekutivit u shpreh se vetëm në Kavajë e Shijak janë asfaltuar 200 km rrugë dhe në katër vjet po ndërtohen nga e para ose po rindërtohen 6 mijë km të tjerë. Kreu i qeverisë tha se gjatë këtij mandati u bë i mundur dyfishimi i pensioneve në fshat dhe rritja e tyre nga 50% në 70% në qytet. Gjithashtu Berisha përmendi dyfishimin e pagave të arsimtarëve, infermierëve dhe mjekëve, duke shtuar se vetëm në vitin 2008 vendi u vizitua nga 2.7 milionë turistë në krahasim me 300 mijë që ishin në verën e vitit 2004. “Katër vite më parë, ne së bashku e nisëm këtë rrugë në një kohë kur vendin e mbizotëronte krimi, në një kohë kur vendin e mbizotëronte korrupsioni, në një kohë kur Shqipërisë një fjalë të mirë askush nuk ia thoshte. Por sot ne nisim mandatin e dytë si anëtarë të NATO-s, si vend që kemi paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE dhe si vend me lëvizje të lirë”, theksoi kreu i maxhorancës. Në fund ai premtoi se brenda mandatit të dytë do të ketë ujë 24 orë dhe pagat do të jenë më të larta se në gjashtë vende të Bashkimit Evropian.