E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, lista e kandidatëve të PPSH mban “peng” fletën e votimit

 

Partia e Punës mban peng miratimin e listës përfundimtare të subjekteve politike që do të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Verifikimi i listës së firmëtarëve si mbështetës të kësaj partie ka penguar në miratimin e numrit të të gjithë subjekteve politike. Verifikimi i listës së PPSH së Riorganizuar ka shtyrë për një orë mbledhjen e KQZ-së. Punonjësit e administratës theksuan se nga 10.250 firma verifikuan 7 mijë firma dhe se kishin mbetur 3250 pa u shqyrtuar. Nisur nga kjo, KQZ-ja i la kohë administratës t’i linte kohë për dhënien fund të kësaj pune. Ndërsa në mbledhjen e paradites, KQZ-ja ka miratuar një kandidat të pavarur, Abdullah Omurin. Përpos pretendimeve të përfaqësuesit të PAD-së, Genci Anastasi, kjo listë nuk është e saktë, pasi votuesit janë në qarkun e Tiranës, por noterizimi i tyre është bërë në një zyrë që ka qendrën në Fushë-Arrëz. KQZ-ja rrëzoi Partinë Aleanca Kombëtare, e cila nuk kishte paraqitur firmat e duhura. Ndërsa edhe pse u miratua lista e Partisë Agrare Ambientaliste, u konstatua se kishte probleme në lidhje me kuotën e gjinisë në zonën e Fierit dhe të Shkodrës. KQZ-ja tha se do ta rishqyrtonte në mbledhjen e pasdites, por u shty një gjë e tillë. Nëse do të miratohej lista e PPSH-së së Riorganizuar, KQZ-ja do të vihej në siklet, pasi do të ndikonte goxha në fletën e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hartuar dy modele të fletës së votimit, në variantin e parë parashikohej se emri i koalicionit dhe të shkruhej në fillim dhe më pas të renditeshin partitë politike. Ndërsa varianti i dytë të shënonte emrin e koalicionit anash fletës dhe më pas të rreshtoheshin partitë politike. PS-ja paraqiti pretendimin për të realizuar një prodhim të veçantë të fletës me modelin “watermarker i specializuar” dhe jo i “thjeshtë”. Kjo gjë, sipas kryekomisionerit Ristani, është e parealizueshme, pasi kompania sllovene kërkon një kohë të gjatë për një gjë të tillë. “Ne mund t’i kërkojmë firmës që të ketë një prodhim të veçantë të sajin, mbi bazën e modeleve që ato kanë, veçse duhet ta përzgjedhim ne, me kushtin që firma të mos ta përdorë atë për tre muaj në Shqipëri”, tha Ristani. Ndërsa ka pranuar kërkesat për të realizuar me ngjyra logon e KQZ-së dhe stemën e republikës. Kreu i KQZ-së bëri të ditur se të gjitha këto ndryshime do të kenë një kosto për buxhetin e institucionit të tij, por jo më shumë se 30 për qind e vlerës së prokuruar më parë.         b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›