“Korrupsioni, Shqipëria ngjit 20 shkallë”
Shqipëria ngjit 20 shkallë në perceptimin e korrupsionit për vitin 2008, por mbetet në vendet ku korrupsioni mbetet një problem serioz dhe që kërkon përpjekje sistematike dhe të qëndrueshme për t’u luftuar. “Transparency International” publikon indeksin e përvitshëm të perceptimit të korrupsionit, i cili përfshin dhe ka shtrirje në 180 vende të botës. Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85-të, duke shënuar një rritje me 0.5 pikë nga viti i kaluar. Vendi ynë është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003, ku është vlerësuar me 2.5. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4 pikë. Që prej këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të përgjithshme me 1 notë vlerësuese, duke u vlerësuar në 2006 me 2.6, në 2007 me 2.9 dhe së fundmi në 2008 me 3.4. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria është mbrapa Sllovenisë, Greqisë, Turqisë dhe Maqedonisë, ndërkohë që është me të njëjtën kuotë pikësh me Serbinë e Malin e Zi si dhe ka lënë mbrapa Bosnjën dhe Hercegovinën.