E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët nga Borshi: Të abrogohet ligji 7501

Shoqata e pronarëve është mbledhur për të diskutuar mbi ndarjen e pronave dhe problemet e pronësisë në bregdet


VLORË- Problemi i pronave në bregdet ka qenë qëllimi i takimit të zhvilluar në fshatin Borsh, ndërsa iniciativa është ndërmarrë nga Shoqata Bregdeti dhe banorë të zonave të bregdetit, ku të pranishëm ishin njerëz nga e gjithë zona përgjatë bregdetit.
Zbatimi i ligjit 7501 dhe natyrisht mos funksionimi i tij u bë tema kryesore e diskutimeve, ku nga shumë të pranishëm në takim është kërkuar heqja e ligjit në fjalë. Sipas tyre, ky është një ligj,që jo vetëm deri më sot pas 17 vitesh nuk po gjen zbatim, por mbi të gjitha, po rëndon mbi pronarin e vërtetë atij të cilit me ligj dhe dokumentacion i takon prona e trashëguar. Pikërisht në zonat e bregdetit një problem i tillë jo pak herë ka sjellë shqetësim tek banorët, ndërsa edhe në takimin e realizuar banorët kanë theksuar se në ndarjen e bërë të tokës në bazë të ligjit 7501 kanë përfituar persona dhe familje që nuk i takon toka në zonën e bregdetit. "Ne jemi mbledhur këtu për të arritur të përcjellim zërin tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë që jemi kundër ligjeve të shtetit shqiptar por natyrisht duhet që tashmë toka të kthehet tek ai që i takon, pra pronari i ligjshëm. Borshi ashtu si zona nga Palasa në Nivicë është një zonë turistike dhe si e tillë shumë herë ka ngjallur interes, por tashmë pas 17 apo 20 vitesh duhet të zbatohet ligji i vërtetë, ai i kthimit të tokës tek pronari",- ka theksuar në emër të Shoqatës Bregdeti zoti Neptun Bajko. Në takim është lexuar edhe një raport i BE-së për Shqipërinë që prek edhe problemin e tokës, raport në të cilin sipas banorëve theksohet qartë se ka mjaft mangësi në zbatimin e ligjit për pronësinë, kryesisht në zonat turistike. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues nga bashkia Himarë, të cilët janë ndalur në zbatimin e ligjit 7501 duke e quajtur të gabuar.
Në takim është diskutuar gjatë mbi problemin e pronësisë ndërsa është theksuar se tashmë Shoqata Bregdeti në emër edhe të pronarëve të zonave turistikë do t'i drejtohet qeverisë shqiptare dhe më pas institucioneve ligjvënëse. Në rast se problemi nuk do të gjejë zgjidhje, pronarët do të bllokojnë rrugën në fshatin Borsh duke ndërprerë komunikimin mes Vlorës dhe Sarandës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›