Kuzhe s’neglizhon ndaj Andorrës, luan me më të mirët
Leonard Karaj
Shqipëria më e mirë ndaj modestëve të Andorrës, kjo do të jetë skuadra jonë në miqësoren e mbrëmjes së sotme në stadiumin “Qemal Stafa”.Sa më sipër konfirmohet nga vetë trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, gjatë konferencës për shtyp dhënë dje në Hotel “Dyrrah” në Durrës, ku është edhe grumbulluar prej ditësh ekipi ynë përfaqësues. “Mungesa e 4 titullarëve është mjaft e rëndësishme për ekipin tonë, por unë llogaris që në eliminatoret e ardhshme do të luajmë me 22 apo 23 futbollistë dhe normalisht që duhet t’u jepet mundësia të gjithëve që të luajnë. Kam besim tek të gjithë lojtarët që kam në grumbullim dhe nuk besoj se mungesa e 4 titullarëve do të jetë kaq e rëndësishme”, ka pohuar Kuzhe. Kroati tregoi respekt edhe për kundërshtarin, duke theksuar se për të ndeshja është e rëndësishme, nisur edhe nga fakti se do të testohen disa lojtarë të rinj, prej të cilëve ai pret mesazhe të mira. Pikërisht në këtë takim, në pjesën e dytë priten të aktivizohen edhe Ervin Llani, Ditmar Bicaj, Elis Bakaj, Gilman Lika, Emiljano Vila, Gjergji Muzaka si dhe Ahmed Januzi.
Shqipëria bën pjesë në grupin D në këto eliminatore, së bashku me Francën, Bjellorusinë, Bosnjën, Rumaninë dhe Luksemburgun dhe Kuzhe ka ndjekur gjatë këtyre ditëve disa ndeshje të kundërshtarëve tanë, të cilët kanë humbur në miqësoret e tyre. “Francën e konsideroj si më të vështirën e grupit. Pashë ndeshjen mes Bjellorusisë dhe Hondurasit, të zhvilluar në Austri javën e shkuar dhe kundërshtarët tanë më lanë përshtypje të mirë. Edhe takimet miqësore që kemi zgjedhur janë pikërisht testim për eliminatoret ndaj këtyre lloj skuadrave. Personalisht do të vëzhgoj Rumaninë në ndeshjen me Austrinë, që luhet më 6 qershor. Më parë do të shikoj edhe Bosnjën. Pra, jam në proces vëzhgimi të kundërshtarëve në mënyrë shumë serioze dhe mund të them se kam njohuri për Rumaninë, me të cilën do të luajmë sfidën e parë”, ka theksuar Kuzhe.