E Diel, 1 Nëntor 2026

Shenjat e vjetra

Më 23 mars 1989, suprimohet autonomia e Kosovës gjersa ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte e rrethuar me tanke. Brenda në sallë votonin edhe njerëz të infiltruar, që s‘ishin fare delegatë. Vetëm 13 delegatë dolën kundër. Pesë ditë më vonë, Serbia e feston Kushtetutën e re, që i jepte asaj pushtet të plotë mbi Kosovën. Demonstrata masive shpërthejnë anekënd Kosovës. Qindra mijëra njerëz marrin pjesë. Vriten 28 shqiptarë dhe 300 të tjerë plagosen. Demonstratat vazhdojnë. Deri në shkurt të vitit 1990 u vranë gjithsej 90 shqiptarë.

Më 17 gusht të vitit 1990, serbët organizojnë referendum për autonomi në Kroaci. Ata vendosin barrikada në rrugët kryesore në Knin, Benkovc dhe Obrovc. Këtë ditë, Kroacia e konsideron si ditën e agresionit serb mbi Kroacinë. Në stacionin e trenit në Knin, Armata Popullore e Jugosllavisë i furnizon hapur serbët me armatim. Ndërmarrja për Serbinë e Madhe pëson kërcim të dyfishtë cilësor: ajo aktivizohet masivisht dhe militarizohet gjithandej.

72 vjet më parë, stërgjyshërit e këtyre serbëve e kishin krijuar Jugosllavinë si platformë për Serbinë e Madhe. Kreu i parë i Qeverisë së Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve ishte radikali serb, Stojan Protiq, i nominuar nga mbreti serb Aleksandar Karagjorgjeviq. Ministër i Punëve të Brendshme ishte Svetozar Pribiqeviq, po ashtu serb, por nga Kroacia. 72 vjet më vonë, shumica e policëve në Kroaci do të jenë serbë. 72 vjet më vonë, stërnipërve të krijuesve të Jugosllavisë, do t‘iu duket se Jugosllavia po ua mbante Serbinë të vogël. Ata nisën ta shkatërrojnë ngrehinën e të parëve të tyre për të njëjtën arsye për të cilën ishte ngritur ajo.

Në fund të vitit 1994, 30% të territorit të Kroacisë dhe 70% të territorit të Bosnjës do të jetë e okupuar nga forcat ushtarake e paramilitare serbe. Dy shtyllat tjera, ku bazohej hegjemonia e Serbisë, ishin Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë si dhe Kisha Ortodokse Serbe. E para e vërtetonte ‘shkencërisht‘ nevojën e zgjerimit të Serbisë dhe e estetizonte dominimin e saj. E dyta e shenjtëronte sundimin e ri të Serbisë, duke e cilësuar atë si ringjalljen e dytë serbe, pas asaj të luftërave ballkanike.

Në qershor të vitit 1991, Peshkopi Atanasije Jevtiq në ceremoninë e shugurimit të tij, si kreu i Dioqezës së Banatit, u drejtohet kroatëve publikisht, duke u thënë: "Ua falim që na keni vrarë, por nuk mund t‘ua falim nëse na detyroni t‘iu vrasim". Ushtarët serbë, që do të pushtonin territore e bënin Serbinë. Ushtarët serbë që do të vriteshin e bënin Serbinë me varrin e tyre. Priftërinjtë serbë i bekonin të gjithë ata që niseshin për luftë, me në krye Arkanin, Ulemekun, Simatoviqin, Kapetan Draganin, Babiqin, Martiqin, Karaxhiqin, Mladiqin e të ngjashmit. Kur niseshin për Kroaci e Bosnje, por edhe kur do të niseshin për Kosovë, disa vjet më vonë. "Aty ku është një varr serb, aty është Serbi!" - çirreshin serbët. Krimet e kryera minimizoheshin. Krimet që nuk fshiheshin dot paraqiteshin si anë e keqe e luftës. Ana tjetër e luftës portretizohej si e mirë - shprehje e vitalitetit të popullit serb.

Më 2 shkurt 2007, në Prishtinë do të bëhet publik Plani i Ahtisarit. Aneksi V i tij, që i kushtohet trashëgimisë fetare dhe kulturore, në nenin 1.2, thotë: "Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë kishat, manastiret dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd". 45 objekte fetare ortodokse me mijëra hektarë tokë, ky Plan i bëri zona eksterritoriale dhe i serbizoi. Nëse një shqiptar mysliman apo katolik në Kosovë konvertohet në ortodoks, ai bëhet serb. Kristaqi, që erdhi nga Korça të punojë në Kosovë, i kryen ritet fetare në kishë katolike. Ai s‘shkon dot në Graçanicë. As në Manastirin e Deçanit, ku ndodhet dhurata e Skënderbeut e i cili e ka portën nga perëndimi. Ky manastir fillimisht ishte kishë katolike e ndërtuar nga abati françeskan atë Vita Kuçi prej Kotorrit, aty diku kah fundi i dekadës së tretë të shekullit XIV. Plani i Ahtisarit ia mundësoi Serbisë uzurpimin e trashëgimisë ortodokse në Kosovë, uzurpimin e trashëgimisë së mesjetës, në kuadër të përpjekjeve të saj për t‘i paraqitur shqiptarët e Kosovës si të ardhur nga Shqipëria, ose mbeturinë e Perandorisë Osmane. Tetë ditë pas publikimit të Planit të Ahtisarit, më 10 shkurt 2007, policia e UNMIK-ut vret Arben Xheladinin e Mon Balajn dhe plagos rreth 80 shqiptarë të tjerë, në një demonstratë që kundërshtonte këtë Plan dhe ku kërkohej vetëvendosje për popullin e Kosovës.

Më 5 tetor 2008, 12 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s u ngjitën Bjeshkëve të Nemuna për te liqeni i Neqinatit, që ndodhej në lartësinë mbidetare prej 1912 metra. I shoqëronte një qen i Sharrit, i cili gjersa tregonte rrugën njëkohësisht përkufizonte hapësirën e shtegut, duke urinuar pranë drunjve të caktuar. Gilles Deleuze shkruante se qeni me urinën e tij shënjon territorin. Urina e qenit shkëputet prej zinxhirit ushqimor, duke u bërë mjet shënjues. Deleuze, si filozof i kontinuitetit që ishte, po ndërtonte kështu argumentin e tij kundër bindjes së sforcuar për veçantinë e njeriut, për njeriun si pikënisje dhe qëllim, kundër mbylljes në ‘human, all too human‘…

Të gjitha këto po më kujtoheshin rrëmbimthi, teksa po dëgjoja lajmet se Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radoviq, po vizitonte Malin e Taraboshit dhe varret e ushtarëve serbë në Bardhaj të Shkodrës. Ata, me demek, paskan rënë për ta çliruar Shqipërinë nga Perandoria Osmane. Lojës së Greqisë me varreza në jug të Shqipërisë, Amfilohije Radoviq po ia bashkëngjiste lojën serbe në veri të Shqipërisë. Ai po rishënjonte për të rikuptimësuar.

Historia sigurisht që ka të bëjë me të kaluarën, porse (ri)shkrimi i historisë (edhe) me të ardhmen. Historia është histori e të ardhmeve: çdo herë kur ajo është (ri)shkruar, kjo është bërë duke pasur parasysh një projekt (politik) për të ardhmen. Këto pastaj janë seleksionuar dhe përmbledhur (përsëri, duke pasur parasysh një të ardhme të dëshiruar) në atë që më pas emërtohet si tekst i historisë, i cili sërish nuk dihet se sa do të mbijetojë. Interpretimet e reja të fakteve i rideponojnë faktet. Çdo gjë në histori vjen me një histori për t‘u ribërë histori. Ndoshta Amfilohije Radoviq e ka lexuar Martin Heidegger-in kur thotë se "fakti është ai që është vetëm në dritën e konceptit fundamental dhe gjithmonë varet nga ajo se sa larg ai koncept mbërrin". E, ndoshta edhe nuk e ka lexuar Heidegger-in. Ndoshta vetëbesimi i tij vjen veçse nga dobësia jonë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›