E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ODIHR: Zgjedhjet maqedonase, jashtë standardeve

"Maqedonia në zgjedhjet e 1 qershorit nuk i ka përmbushur standardet kryesore ndërkombëtare", theksohet në deklaratën e misionit vëzhgues ndërkombëtar. Misioni i kryesuar nga OSBE/ODIHR theksoi se kjo është pasojë e orvatjeve të organizuara për ndërprerje të dhunshme të procesit zgjedhor në pjesë ku jetojnë shqiptarët etnikë, ku votuesit u parandaluan lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre në më shumë vende. Misionin vëzhgues ndërkombëtar e përbëjnë zyra për institucione demokratike dhe për të drejtat e njeriut e OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ndërkaq, Bashkimi Evropian është shumë i shqetësuar, për shkak të dhunës me viktima që shpërtheu gjatë zgjedhjeve në Maqedoni, e cila është kandidate për anëtarësim në BE. Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olli Rehn, është shumë i shqetësuar për shkak të dhunës që shpërtheu gjatë zgjedhjeve në Maqedoni. Këtë e lajmëroi përfaqësuesja e Rehnit, duke shtuar se komisioneri ka shprehur shqetësimin e tij deri te Kryeministri Nikolla Gruevski. Komisioni Evropian bëri thirrje për vazhdim të qetë të votimit në vendet ku është ndërprerë, për shkak të dhunës. Edhe përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana, pret përmirësim të situatës. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE nga dhjetori i vitit 2005, por dhuna shkaktoi shqetësim në Bruksel për stabilitetin e saj politik. Komisioni Evropian, paraprakisht, mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike e shënoi si kriter thelbësor për përparimin e Maqedonisë në raportin e vjeshtës, tha përfaqësuesja e Rehnit. Ajo u përmbajt nga komenti në pyetjen se çfarë do të përmbajë raporti i vjeshtës i KE-së për përparimin e Maqedonisë. Gjatë zgjedhjeve të së dielës në Maqedoni, një person humbi jetën, ndërsa disa të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve mes grupeve partiake.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›