E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, me përmasa mbytëse

Itali Përfundimi i auditorit të shtetit

Korrupsioni po rritet me përmasa dramatike në Itali dhe sanksionet ligjore nuk janë më të mjaftueshme për të ndalur një progresion të tillë. Ky lajm është bërë i ditur nga auditori shtetëror italian, i cili ka hedhur kështu benzinë në zjarrin e debatit në lidhje me moralitetin e jetës publike. Gjykata e Audicionit me qendër në Romë, e cila mbikëqyr dhe kontrollon parregullsitë e mundshme të shpenzimeve publike, tha se rastet e korrupsionit janë rritur vitin e kaluar në krahasim me një vit më parë. Kryeministri Silvio Berluskoni ndodhet aktualisht në gjyq për akuzat e korrupsionit dhe mashtrimit, ndërkohë që ai i akuzon prokurorët që janë ngritur kundër tij të motivuar politikisht. “Korrupsioni është pjesë e kulturës sonë dhe kodi ligjor nuk mjafton për t’i vënë fre. Kemi nevojë për një rikthim në sjelljet etike nga ana e çdokujt, por unë nuk e shoh këtë”, ka deklaruar presidenti i gjykatës, Tullio Lazzaro.

Italia është goditur rëndë nga skandalet korruptive të profilit të lartë gjatë viteve të fundit, që variojnë nga biznesi te politika dhe madje duke përfshirë këtu edhe futbollin e shumë parlamentarë e njerëz me imunitet politik, që u janë nënshtruar hetimeve të ndryshme e madje edhe proceseve gjyqësore të shumta. Disa edhe janë dënuar për krime. Zhurma e fundit ka përfshirë agjencinë civile të mbrojtjes, ku prokurorët pezulluan të gjitha kontratat publike, sepse ishin bazuar ose në ryshfete, ose në favore seksuale. Shumë analistë paralajmërojnë se një situatë e tillë është e ngjashme me atë të vitit 1990 para të ashtuquajturit “Operacioni i duarve të pastra” i nisur nga prokurorët e Milanos që përmbysi klasën politike italiane, e cila kishte dominuar në vend që nga Lufta e Dytë Botërore. Ministri i Industrisë, Klaudio Scajola, i pyetur në një intervistë televizive për paralelizmin e mundshëm, e mohoi një gjë të tillë. Sipas “Transparency International” në vitin 2009, Italia ishte në vendin e 63 të tabelës së vendeve më të korruptuar.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›