Timoshenko tregon kutitë: Ja manipulimi
Një gjykatë ukrainase ka pezulluar rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në vend, pas sfidës së Kryeministres aktuale të vendit, Timoshenko, që ka qenë edhe kandidatja humbëse e zgjedhjeve, sipas rezultatit zyrtar të tyre. Timoshenko ka bërë një thirrje të martën e kaluar, me anë të së cilës pretendonte se rezultati i këtyre votimeve ishte i manipuluar. Vëzhguesit ndërkombëtarë, nga ana e tyre, kanë deklaruar se vota ishte e lirë dhe e ndershme. Por, ndërkaq, gjykata ka ndërmarrë vendimin e pezullimit të rezultateve, duke vendosur që më parë të shqyrtojë edhe kërkesën e kandidates Timoshenko dhe të dëgjojë provat e saj. Për sa i përket fituesit të zgjedhjeve, ai është Viktor Janukoviç, i cili nëse gjërat do të shkojnë mirë do të betohet më 25 shkurt.
Vendimi i Gjykatës Supreme Administrative ka shqetësuar Komisionin Qendrore Zgjedhor, i cili ka cilësuar Janukoviçin si fitues të këtyre zgjedhjeve presidenciale, raundi i dytë i të cilave u zhvillua të dielën e kaluar. Sipas këtij rezultati, Janukoviç ka mundur Timoshenkon me 3.48%. Aktualisht gjykata duhet që të vendosë edhe mbi apelin e Timoshenkos në ditët në vijim. Timoshenko nuk e ka pranuar që në fillim rezultatin e zgjedhjeve, duke deklaruar që të dielën se ajo nuk do të hiqte dorë nga e drejta e saj për të apeluar vendimin e Komisionit Zgjedhor. Gjatë gjithë kësaj kohe Janukoviç i ka kërkuar që edhe për hir të interesave kombëtare të pranojë humbjen, por Timoshenko ka treguar shumë këmbëngulje dhe kjo këmbëngulje ka sjellë frytet e saj. Sipas Timoshenkos, zgjedhjet u karakterizuan nga një fushatë falsifikimi masiv, i jashtëligjshëm dhe thelbësor. Kërkesa e saj është që të rishikohen të gjitha votat dhe jo vetëm një pjesë e tyre. Të martën ajo shkoi në Gjykatën Administrative të Kievit me mbështetësit e saj, duke pasur me vete disa kuti votimi, në të cilat, sipas saj, ndodheshin provat e falsifikimit të votës. Megjithatë monitorët ndërkombëtarë të këtyre zgjedhjeve thanë se gjatë këtyre votimeve nuk kishte ndonjë konstatim për shkelje të rënda.
Sfida dhe vendosmëria e Timoshenkos pritet që të shtojë destabilitetin në Ukrainën, e cila, ndërkohë, nuk po del dot nga një krizë e rëndë ekonomike dhe ka vite që ndodhet në një kolaps të rëndë edhe politik.