Rinas, kapet me dokumente false
TIRANE - Një 25-vjeçar nga Tirana është ndaluar në aeroportin "Nënë Tereza" nga efektivat e Komisariatit të Rinasit, pasi i është zbuluar parregullsi në dokumentet e udhëtimit. Andi Stojku është zbuluar nga autoritetet doganore, të cilët gjatë verifikimit të dokumenteve të tij kanë zbuluar se ato ishin të falsifikuara. I riu po tentonte të fluturonte me linjën ajrore që shkonte drejt Italisë, por udhëtimi i tij është anuluar pas verifikimit të dokumenteve. Autoritetet e doganës kanë lajmëruar menjëherë efektivat e Komisariatit të Rinasit, të cilët kanë shoqëruar në polici për disa orë 25-vjeçarin Andi Stojku. Është vendosur që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për falsifikim të dokumenteve. Ndërkohë burime nga policia thanë se të riut i është sekuestruar pasaporta, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar, si dhe disa dokumente të tjera, të cilat kishin gjeneralitete të ndryshme nga ato realet të 25-vjeçarit që tentoi të kalonte kufirin në aeroportin e Rinasit. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë, në aeroport u ndaluan edhe dy vajza nga Tirana, të cilat ishin të pajisura me dokumente udhëtimi të falsifikuara dhe ndaj tyre filloi procedimi penal.