E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga Xhilit, kushëririt të Aldo Bares

23/12/2010  Kapet në trotuar tek Presidenca, teksa ecte në këmbë. Kërkohet për trafik droge

Anëtari i Bandës së Lushnjës ishte dënuar në Itali me 14 vjet burg

TIRANË- Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia e Tiranës mundi të prangosë dje Alxhi Nallbanin, djalin e hallës së Aldo Bares, që strehohej prej muajsh në një pallat në kryeqytet. Ai kërkohej nga Italia për trafik ndërkombëtar droge. Burimet zyrtare të bluve të kryeqytetit konfirmuan dje arrestimin e 33-vjeçarit, por lidhjet e tij farefisnore me Aldo Baren janë ende të paqarta. Zyrtarisht policia e Tiranës njofton se ai është nipi i Aldo Bares, teksa të tjera burime thanë se është djali i hallës. Ndërkaq, babai i Aldo Bares, Sotiri, ka pasur mbiemrin Nallbani, teksa Aldo mbajti mbiemrin e nënës, kështu që të tjera burime thanë se Alxhi Nallbani është djali i xhaxhait të Aldo Bares. Përgjatë orëve të pasdites së djeshme, Strukturat e Hetimit të Policisë së Kryeqytetit, falë një operacioni të mirëorganizuar bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin e shumë të kërkuarit për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, 33-vjeçarin Alxhi Nallbani, i njohur ndryshe me pseudonimin “Xhili”. I shumëkërkuari u kap pranë Presidencës, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, teksa ecte në këmbë në trotuar pas një ndërhyrje të Sektorit të Forcave Operacionale me synim arrestimin e tij. Policia e Tiranës njofton zyrtarisht se “Ky shtetas akuzohet nga autoritetet e zbatimit të ligjit të shtetit italian dhe është i dënuar nga drejtësia italiane me 14 vjet burgim, për konsumim të veprave penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, si dhe “Pjesëmarrje në organizata kriminale”. Gjatë ecurisë së hetimeve ka rezultuar se ky shtetas ka lidhje farefisnore (nipi) me shtetasin Aldo Bare, i njohur ndryshe si kreu i Bandës së Lushnjës. Ndaj të kërkuarit aktualisht po kryen veprimet procedurale me qëllim më pas dërgimin e tij në vendin e vuajtjes së dënimit”. Biseda e regjistruar nga autoritetet italiane të drejtësisë, mban datën 11 prill të vitit 2004 dhe u kap në numrin 338/88374xx të Alxhi Nallbanit. Ai kreu një bisedë telefonike me Aldo Baren, i njohur dhe si Alfred Shkurti, që mbante numër turk0090/54421724xx.

M.Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›