Trafikonin drogë, shkatërrohet klani shqiptar në Nju Jork
Artan CENA
NJU JORK - Një bandë e madhe shqiptarësh që trafikonin drogë, është shkatërruar në Shtetet e Bashkuara dhe në pranga janë vënë 13 persona. Operacioni është bërë në Nju Jork, Konektikat dhe në Kanada, thanë dje burimet zyrtare amerikane. Policia ka bërë të ditur se 11 prej të arrestuarve janë shqiptarë dhe dy të huaj, prej të cilëve dhe një vajzë. Banda e njohur si "Skuadra Krasniqi" e kishte bazën në Queens dhe Staten Island dhe trafikonte marijuanë në Nju Jork, Miçigan dhe Konektikat. 13 persona janë arrestuar të martën, përfshirë këtu edhe kreun e bandës, i identifikuar si Bruno Krasniqi, 26 vjeç, e bashkë me të është ndalur nga autoritetet edhe i vëllai, Saimir Krasniqi. Banda ka nisur të trafikojë marijuanë në vitin 2003.
Arrestimet
"Kjo organizatë kriminale ndërkombëtare akuzohet gjithashtu për rrëmbime, grabitje e trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrës në akte të dhunshme që shërbenin për të themeluar dhe për të mbrojtur operacionet e grupit kriminal", - tha prokurori amerikan në Manhatan, Preet Bharara. Arrestimet janë bërë të mundura falë bashkëpunimit të FBI-së dhe Departamentit të Policisë së Nju Jorkut. Hetimet e ndërmarra nga FBI-ja filluan në 2003-shin në Ballkan, Kanada dhe Holandë dhe më pas në Nju Xhersi, Filadelfia e Çikago. FBI-ja beson se dy krerët e bandës janë me origjinë shqiptare. Arrestimet janë bërë pas disa vitesh hetime. Bëhet fjalë për qarkullimin e ngarkesave të marijuanës që është transportuar nëpër Nju Jork, Miçigan dhe Konektikat. Trembëdhjetë anëtarët e bandës janë arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë. Dy krerët e bandës, sipas policisë, janë Bruno Krasniqi, 26 vjeç dhe Saimir (Sammy) Krasniqi, vëllezër me banim në Staten Island. Tre anëtarë të tjerë janë ende të lirë.
Aktiviteti
Banda kishte filluar trafikimin e marijuanës në vitin 2003. "Ky grup ndërkombëtar i krimit të organizuar dyshohet se është përfshirë edhe në rrëmbime, grabitje, trafik të narkotikeve dhe aktet e dhunës për të financuar dhe mbrojtur operacionet e saj", - tha prokurori amerikan i Manhatanit, Preet Bharara. Hetimet dhe arrestimi i shqiptarëve dhe dy personave me kombësi tjetër është bërë nga njësitë e përbashkëta të FBI-së dhe të Policisë së Nju Jorkut (NYPD).
Të arrestuarit
Bruno Krasniqi, 26 vjeç, Staten Island, Nju Jork
Saimir Krasniqi, 29 vjeç, Staten Island, Nju Jork
Elton Sejdari, 26 vjeç, Staten Island, Nju Jork
Erkliant Sula, 25 vjeç, Staten Island, Nju Jork
Skënder Cakoni, 44 vjeç, Queens, Nju Jork
Gjovalin Berisha, 30 vjeç, Bronx, Nju Jork
Gentian Nikolli, 33 vjeç, Queens, Nju Jork
Shkëlzen Balidemaj, 39 vjeç, Branford, C. T.
Plaurent Çela, 29 vjeç, Brooklyn, Nju Jork
Gentian Cara, 37 vjeç, Toronto, Kanada
Marjan Tamali, 35 vjeç, Toronto, Kanada
Joanna Pakulski, 36 vjeçe, Toronto, Kanada
Nazih Nasser, 35 vjeç, Queens, Nju Jork
Kërkime ndërkombëtare për Ervis Meçollarin
Emigranti shqiptar në listën e kriminelëve më të kërkuar
KONEKTIKAT - Një shqiptar është një ndër më të kërkuarit në SHBA. Ai që nga dje figuron në listën amerikane e “më të kërkuarve” ndërkombëtarë për akuzën e vrasjes. Ervis Meçollari u përfshi së fundi në listën “Most Wanted” pas dështimit të policisë në kapjen e tij. Shqiptari akuzohet se ka vrarë me thikë një bashkëkombës të tij shqiptar në Waterbury, Conn. Viktima ka qenë Marenglen Meko, i qëlluar me thikë pas një mosmarrëveshjeje me të shumëkërkuarin Ervis Meçollari. Ata ishin takuar në një park, ndërsa Meçollari kishte marrë me vete një thikë me të cilën e qëlloi viktimën në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Sipas policisë, i dyshuari për krimin besohet se ka vrarë edhe një vajzë, e cila ka jetuar në apartamentin e tij, Laura Orso. Trupi i saj është gjetur në banesën e Meçollarit nga miq të tij gjatë festës së Krishtlindjeve. Vajza ishte qëlluar 37 herë me thikë në gjoks. Hetuesit amerikanë menjëherë kanë nisur kërkimet në Shqipëri dhe në të gjithë botën për të dyshuarin, i cili i ka shpëtuar arrestimit. Imazhi i shqiptarit është shfaqur së fundi në një spot në TV amerikane ku policia u bën thirrje njerëzve në dijeni të vendndodhjes së tij të telefonojnë 1-800-CRIME-TV menjëherë duke premtuar se informatorët do të mbeten anonimë. Policia ka thënë se shqiptari është i dyshuar edhe për krime të tjera të ngjashme.
Policia shpall dy të dyshuar në kërkim
Sherri i të rinjve përfundon me breshëri kallashnikovi
DURRËS - Një sherr me grushte ka përfunduar me disa breshëri kallashnikovi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në Durrës. Burime zyrtare nga policia lokale thanë për se, rreth orës 19:30, në Spitalin Rajonal Durrës ka mbërritur i plagosur me mjete të forta në trup 23-vjeçari me inicialet M. G., banues në Sukth, Durrës. Në vendngjarje ka shkuar policia që ka kryer veprimet e para hetimore, nga të cilat ka rezultuar se i plagosuri, rreth orës 19:00, është konfliktuar për motive të dobëta me Markeljan Jahollin, 25 vjeç, banues Sukth. Në konflikt e sipër ata janë goditur me grushte. Por, pas një ore, Jaholli, së bashku me Besnik Kubejan, 34 vjeç, banues në Sukth i Ri, Durrës, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri automatik duke qëlluar disa herë në drejtim të të plagosurit. Nga policia është bërë shpallja në kërkim e Markeljan Jahollit e Besnik Kubejas dhe është duke vazhduar puna për kapjen e tyre.
Sulmoi me sëpatë fqinjët, në pranga i riu
LEZHË - Ka marrë sëpatën dhe u është lëshuar dy personave për t’i vrarë, por për fat të mirë ata i kanë shpëtuar vdekjes, duke u plagosur njëri në kokë dhe tjetri në duar. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në fshatin Kallmet të Lezhës. Në pranga është vënë autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, Petrit Kola, 33 vjeç, lindur dhe banues në këtë fshat. Arrestimi i tij u bë për arsye se në orët e para të mëngjesit të djeshëm ai ka tentuar të vrasë në grindje e sipër me sëpatë 59-vjeçarin Ndue Preka dhe 24-vjeçarin Fatjon Preka, që të dy bashkëfshatarë të tij. I pari mësohet se ka pësuar dëmtime në kokë, ndërsa i dyti vetëm në duar, por që aktualisht rezultojnë të jenë jashtë rrezikut për jetën.
Pranga italianit, vinte të blinte drogë në Vlorë
VLORË - Një qytetar italian është vënë në pranga nga Policia e Vlorës pasi është kapur me lëndë narkotike. Burime zyrtare kanë bërë të ditur se, pasditen e djeshme është ndaluar një shtetas italian dhe janë sekuestruar 400 gramë drogë të llojit heroinë, që ky i fundit mbante me vete. Sipas të dhënave nga Policia e Vlorës, Gabriele de Carolis kishte vetëm 9 ditë që ndodhej në Shqipëri. Blutë e Vlorës kanë mundur ta ndalojnë ditën e djeshme në lagjen “Skelë”, ndërsa sqarojnë se Carolis nuk ka aktivitet në Shqipëri. Sigurimi i lëndës narkotike ishte qëllimi i vizitës së shtetasit italian në Shqipëri. Policia sqaron gjithashtu se droga ishte destinuar të çohej në Itali. Policia ka bërë të ditur se është duke bërë hetime të shumta për të zbuluar se ku ishte marrë lënda narkotike dhe bashkëpunëtorët e italianit të arrestuar.
10 Qershor 2010