E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, në pranga shefi i Onkologjikut, akuzohet për mitmarrje



Shefi i spitalit Onkologjik është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për mitmarrje. Agjentët e policisë kanë vënë në pranga Agim Karajn, pasi ky i fundit u kap duke marrë para, gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Hetuesit e grupit Task Forcë Kundër Korrupsionit, kishin një muaj që po e ndiqnin me këtë çështje dhe ata arritën që të vinin në pranga shefin e Onkologjikut. Hetimi për këtë rast është bërë nga antikorrupsioni dhe Task Forca, të cilat pas të dhënave të mbledhura dhe hetimeve të kryera bënë edhe arrestimin e kirurgut.

Agjentët kishin informacione se Karaj merrte ryshfet nga pacientët. Sipas burimeve të policisë, pagesa që ai merrte për një operacion varionte nga 60-200 euro. Pas disa denoncimeve të kryera nga ana e pacientëve, menjëherë nga Task Forca dhe sektori i antikorrupsionit, nisën nga puna për të vërtetuar këto akuza. Pas hetimeve të kryera, të cilat zgjatën gati 30 ditë, u arrit që të zbulohej se shefi i Onkologjikut merrte ryshfet në këmbim të kryerjes së detyrës së tij.

Hetuesit morën prova filmike, të cilat vërtetonin akuzat dhe mbrëmjen e djeshme kryen arrestimin e Karajt. Mjeku i njohur është shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, ku pritet të dalë përpara gjykatës me akuzën e marrjes së ryshfetit në punë. Vetëm në tre muajt e fundit janë arrestuar katër mjekë. Dy prej tyre akuzohen se i kanë shkaktuar dëme pacientëve, ndërsa dy të tjerë, me akuzat për korrupsion.

Para katër ditësh në pranga një tjetër kirurg, Ardian Nelaj

Kirurgu Ardian Nelaj ka përfunduar në qeli, pasi kishte një kohë prej 2 muajsh që mbahej në përgjim. Gjatë kësaj periudhe u vërtetua se Nelaj përfitonte para, duke u kërkuar pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, operacione të cilat i zhvillonte në sallën e urgjencës së spitalit nr. 2 Tiranë. Sipas informacioneve rezultoi se mjeku u kërkonte ryshfet të afërmve të pacienteve, shumë e cila varionte në shumën prej 20 mijë lekësh të rinj për një operacion. Ndërkohë, pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale u mundësua sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumave të parave prej 545 mijë lekësh, 760 euro, 100 dollarë amerikanë.

Pas hetimeve të kryera u bë edhe kapja në flagrancë e kirurgut Nelaj, duke marrë një shumë prej 20 mijë lekësh të reja pas kryerjes së një operacioni. Në momentin e arrestimit shefit të klinikës së Spitalit të Burgut i është sekuestruar edhe shuma prej 20 mijë lekësh të rinj, të cilën sapo e kishte marrë. Sipas njoftimit për shtyp, mësohet se përveç rastit të kapjes në flagrancë, nga hetimi janë evidentuar dhe provuar edhe raste të tjera ku mjeku Ardian Nelaj ka pranuar dhe marrë shuma të ndryshme parash nga të afërm të pacienteve që ndiqeshin prej tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›