E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, pengesë serioze për reforma

Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin vjetor për të drejtat e njeriut . Ja pikat më kritike të Shqipërisë: korrupsioni, trafiqet dhe problemet e tjera
Albert Gjoka
Megjithë përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare, ndonëse raportohet për një numër të lartë zyrtarësh të arrestuar, sërish korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues për realizimin e reformave. Ky është konstatimi i bërë në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut. Në dokumentin që publikohet çdo vit, konstatohet se Shqipëria vazhdon të ketë probleme serioze përsa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në panoramën e bërë për vitin e kaluar, zgjedhja e presidentit cilësohet si kushtetuese, ndërsa zgjedhjet vendore të 18 shkurtit u prishën për shkak të konflikteve mes udhëheqësve politikë. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2007 “pati probleme në disa fusha, përfshi vrasjet shoqërore prej “gjakmarrjes”, abuzim nga forcat e sigurisë ndaj të burgosurve dhe të ndaluarve, kushte të këqija në burgje dhe paraburgim, mosndëshkim të policisë, diskriminim kundër grave, fëmijëve dhe pakicave, si dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Korrupsioni dhe trafiqet
“Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsionin e zyrtarëve. Pavarësisht nga një numër arrestimesh të zyrtarëve të lartë vendorë dhe qendrorë, korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit Botërorë të Qeverisjes së Bankës Botërore pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz”, - thuhet në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të Departamentit të Shtetit. Në këtë pikë përmenden rastet e arrestimit të dhjetëra zyrtarëve të të gjitha niveleve, heqja e imunitetit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha dhe raste të tjera, por që nuk ka të dhëna për dënimin e tyre sipas ligjit për veprën që kanë kryer.
“Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i shumëpërhapur dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente”, - thuhet në këtë dokument, i cili citon edhe shkarkimin e një gjyqtari dhe ndëshkimin e gjashtë të tjerëve për paaftësi ose korrupsion nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Më tej theksohet se problem mbetet ekzekutimi i vendimeve të dhëna nga gjyqësori. Në lidhje me trafikimin, konstatohet se: “Vendi vazhdon të mbetet burim dhe tranzit i trafikimit të qenieve njerëzore”. “Qeveria nuk ndoqi penalisht viktimat e trafikimit dhe nuk ndërmori trajtim diskriminues kundër tyre. Ajo njohu të drejtat e viktimave dhe ndihmon që të sigurojë aksesin e tyre ndaj drejtësisë në masën e mundshme në sistemin aktualisht të dobët të gjyqësorit”, - konstatohet në këtë dokument.
Gjendja politike
Tre nga momentet politike më të veçanta të vitit 2007: zgjedhjet e 18 shkurtit, zgjedhja e presidentit dhe shkarkimi i prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, janë marrë në shqyrtim në këtë raport. Sipas këtij dokumenti: “Konfliktet mes udhëheqësve politikë shkaktuan negociata të stërzgjatura dhe rezultuan në zgjedhje të shtyra”. Më tej thuhet se “vonesat çuan në zgjedhje të organizuara dobët si dhe në rregulla e rregullore të pavolitshme”. “Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, votimet familjare dhe nga persona të besuar vazhduan të ishin probleme. Vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) deklaruan që zgjedhjet i përmbushën vetëm pjesërisht standardet ndërkombëtare”, - thuhet në këtë dokument.
Ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës në korrik të vitit të kaluar, hartuesit e raportit mjaftohen vetëm me një kostatim se kjo është bërë “në përputhje me udhëzimet kushtetuese”. Ndërsa procedurat e shkarkimit të Sollakut janë shqyrtuar thjesht si një proces i firmosur nga Presidenti Topi dhe thuhet se gjithçka mbetet në pritje të ankimimit nga vetë Sollaku në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç edhe vetë ai kishte njoftuar.
Burgjet dhe policia
Ndër pikat më të kritikueshme në këtë raport janë gjendja në mjediset e paraburgimit dhe roli i policisë. “Kushtet e burgjeve nuk përmbushnin standardet ndërkombëtare”, - thotë raporti, sipas të cilit, “qeveria lejoi monitorim të pavarur të kushteve të burgjeve nga grupe vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, media dhe të tjerë. Përsa i përket rolit të Policisë dhe aparatit të Sigurisë raporti thotë: “Paraqitja e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme”. Në listën e fenomeneve problematike renditen edhe financimet e mediave, autocensura e vetë gazetarëve, marrëdhëniet e tyre me shtetin. Ndërsa për pronën, konstatohet se shteti ka nisur të japë shuma të vogla parash për kompensim, ndonëse “borxhi” që shteti u detyrohet pronarëve është shumë i madh. Po ashtu përmenden diskriminimet e shtresave të caktuara të shoqërisë, si romët, homoseksualët apo mosdhënia e ndihmës së duhur për shtresat me probleme si familjet e ngujuara nga gjakmarrja, apo trajtimi i personave të sëmurë mendorë.

TABELË

PROBLEMET E KONSTATUARA
Korrupsioni
Pavarësisht nga një numër arrestimesh të zyrtarëve të lartë vendorë dhe qendrorë, korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit e BB-së pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz.

Trafikimi
Persona, sidomos gra dhe fëmijë, u trafikuan drejt, nga dhe brenda vendit. Qeveria nuk ndoqi penalisht viktimat e trafikimit dhe nuk ndërmori trajtim diskriminues kundër tyre.

Privimi i jetës
Vrasjet shoqërore vazhduan gjatë vitit, si rezultat i akteve vigjiluese (përfshi si vrasjet mes brezash nga “gjakmarrja” ashtu edhe vrasjet për hakmarrje), bandave kriminale dhe krimit të organizuar.

Kushtet e burgjeve
Kushtet e burgjeve nuk përmbushnin standardet ndërkombëtare. Qeveria lejoi monitorim të pavarur të kushteve të burgjeve nga grupe vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, media dhe të tjerë.

Roli i policisë
Paraqitja e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme.

Raporti me gjyqësorin
Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i shumëpërhapur dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente.

Kthimi i pronës
Kthimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist mbeti një problem domethënës. Raporti vjetor i Avokatit të Popullit vërente që në vitin 2006, një total prej 125 ankesash lidheshin me kompensimin e pronës.

Roli i medias
Politizimi i medias mbeti shqetësim. Polarizimi i organeve të medias në kampe kundërshtare u bë më i theksuar gjatë vitit, duke u përkeqësuar sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet vendore. Gazetarët praktikuan autocensurën

Liria akademike
Kontrolli i qeverisë mbi emërimet akademike dhe kultura e korrupsionit minuan lirinë akademike. Studentëve disa herë u kërkohej të jepnin ryshfet te zyrtarët për regjistrim apo për të kaluar provimet.

Zgjedhja e Presidentit Topi

“Në korrik, parlamenti zgjodhi Bamir Topin president, në përputhje me udhëzimet kushtetuese”, - ky është i vetmi konstatim i bërë për këtë çështje në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zgjedhjet e 18 shkurtit

Konfliktet mes udhëheqësve politikë shkaktuan negociata të stërzgjatura dhe rezultuan në zgjedhje të shtyra. Vonesat çuan në zgjedhje të organizuara dobët si dhe në rregulla e rregullore të pavolitshme.

Shkarkimi i Sollakut

Presidenti e shkarkoi prokurorin e Përgjithshëm dhe emëroi një të ri brenda po atij muaji. Pritej një vendim mbi apelin nga prokurori i shkarkuar pranë Gjykatës Kushtetuese.

KKRT-ja i hoqi antenat e stacioneve në mënyrë selektive

“Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve përdori një mënyrë selektive për heqjen e transmetuesve në pranverën e vitit 2007”, – ky është konstatimi i bërë nga raporti vjetor i DASH-it. Sipas tij, “KKRT-ja fiku në mënyrë selektive transmetuesit e stacioneve që raportohej se ishin kritikë ndaj qeverisë dhe që transmetonin përtej zonave të tyre të licencuara. Në atë periudhë, autoriteti mbikëqyrës i tregut mediatik televiziv hoqi antenat e transmetimit të disa televizioneve, përfshirë edhe “Vizion plus”, ndërsa nuk ndëshkoi shumë të tjera, të cilat shpërndanin sinjalin jashtë zonës së tyre të licencimit. Në raport sillen edhe rastet e gjobës së Top Channel, tashmë televizion kombëtar dhe stacioneve të tjera.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›