Olldashi: “E vërteta e njohjes sime me vëllezërit Rexha”
Botohet dëshmia e plotë e ministrit, që u dha dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pyetjet që i drejtoi gjykata, avokatët dhe i pandehuri Qamil Rexha
Laureta Rryçi
Tiranë - Sokol Olldashi për pak minuta ka hequr dorë dje nga statusi i ministrit, duke u kthyer në një nga dëshmitarët kyç në një nga proceset në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për rreth 10 minuta Sokol Olldashi ka rrëfyer njohjen me vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexha, vrasjen e Behar Kastratit ditët para dhe pas zgjedhjeve. Kur e ka takuar Qamil Rexhën dhe rrëfimi për herë të parë se si e mësoi se vëllezërit ishin në hetim për vrasjen e mjekut nga Hasi i Kukësit. Burime pranë gjykatës treguan se pasi Olldashi ka mbaruar dëshminë e tij, një nga të pandehurit, Qamil Rexha, ka reaguar duke u shprehur se Olldashi nuk e mbante mend më nëse ishin takuar ditën e 7 korrikut. Dëshmia e kërkuar prej muajsh nga të pandehurit nuk ka shkuar ashtu siç pritej nga ata. Vëllezërit Rexha që në arrestimin e tyre kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e Kastratit dhe si alibi patën përdorur takimin me Olldashin. Mirëpo gjithçka është rrëzuar dje, Olldashi nuk ka ngurruar të rrëfejë se e mban mend mirë ku ka qenë atë ditë. Sipas tij, jo vetëm nuk i ka takuar dy vëllezërit, por ditën e 7 korrikut ai nuk ka qenë për asnjë në moment në Shijak. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje se Olldashi është treguar gjithmonë i gatshëm për të dëshmuar për aq sa e dinte në lidhje më këtë ngjarje. Për seancën e djeshme Olldashi ishte shprehur se nëse nuk do t’i duhej të shkonte në Kosovë, do të vinte për të dëshmuar. Ashtu ndodhi. Ai është paraqitur me makinën e tij në oborrin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kolegji penal, që drejtohej nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, e ka thërritur në cilësinë e dëshmitarit. Në sallë kanë qenë kolegji penal, avokatët e të pandehurve, përfaqësuesit e prokurorisë, punonjësit e sigurisë së gjykatës dhe të pandehurit. Ndërkohë, nuk ka qenë asnjë përfaqësues i medias. Burime pranë gjykatës sqaruan se kjo nuk ka ardhur për shkak se Olldashi ka pasur një kërkesë për dëshminë e tij me dyer të mbyllura. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë dëshminë e plotë të Olldashit. Pyetjet që i janë drejtuar atij nga kolegji penal, avokatët dhe një prej të pandehurve, Qamil Rexha.
Dëshmia e Olldashit dhënë dje para kolegjit penal të Krimeve të Rënda në procesin për vrasjen e Behar Kastratit
Pyetje-përgjigjet mes kolegjit penal dhe ministrit Olldashi
Gjykata: Emri juaj?
Olldashi: Sokol
Gjykata: Mbiemri?
Olldashi: Olldashi
Gjykata: A i njihni Qamil dhe Abedin Rexhën?
Olldashi: I njoh.
Gjykata: Ku i keni njohur?
Olldashi: Qamili nuk ka qenë pjesë e stafit tim elektoral, por një nga aktivistët në zonën e Shijakut, ku unë kandidoja në zgjedhjet e vitit 2005.
Gjykata: A i keni takuar të pandehurit Qamil dhe Abedin Rexha më datë 7 korrik të vitit 2005?
Olldashi: Jo, nuk i kam takuar.
Gjykata: Po e mbani mend se ku keni qenë atë ditë?
Olldashi: Atë ditë kam qenë gjithë ditën në Tiranë.
Gjykata: Po në Shijak keni qenë para apo pas kësaj date?
Olldashi: Në Shijak kam qenë në datën 4 korrik të vitit 2005 dhe më pas jam kthyer në datën 9 korrik, ku kam organizuar dhe një si tip feste për fitoren time në atë zonë. Më kujtohet se në lokal ka qenë dhe Qamil.
Gjykata: E keni takuar herë të tjera Qamil apo Abedin Rexhën?
Olldashi: Po, Qamili ka ardhur në Tiranë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij duke më kërkuar që të pyesja në polici se përse po hetoheshin ai me vëllain e tij për vrasjen e Behar Kastratit.
Pyetje-përgjigjet mes avokatëve dhe ministrit Olldashi
Avokatët: A jeni i sigurt se nuk keni qenë në Shijak ne datën 7 korrik?
Olldashi: Po. Jam shumë i sigurt se atë ditë unë nuk kam qenë në Shijak.
Pyetje-përgjigjet mes Qamil Rexhës dhe ministrit Olldashi
Qamili: A është e vërtetë që të kam takuar unë për të pyetur se përse hetoheshim për vrasjen e Behar Kastratit?
Olldashi: Po, ke ardhur dhe më ke takuar. Më ke thënë të pyes se pse po hetoheshit ju për zhdukjen e Behar Kastratit.
Qamili: Po ju më keni kthyer përgjigje?
Olldashi: Unë u interesova. Pyeta drejtorin e Policisë së Durrësit në lidhje me këtë çështje. Ai më pohoi faktin se ju (Qamili dhe Abedini) ishit në hetim për vrasjen e Behar Kastratit.
Qamili: A jemi takuar më?
Olldashi: Jo. Unë, edhe pse e mora këtë informacion, nuk ta thashë ty se isha interesuar. Por që nga ia moment unë jo vetëm nuk ju kam takuar më, por kam shkëputur çdo kontakt që mund të kisha me ju.
Qamili: Olldashi nuk e mban mend se ne jemi takuar pasditen e 7 korrikut në Qerret të Durrësit.
Pretendimi që mori formën e alibisë
Ditën kur policia u vuri prangat vëllezërve Rexha, Qamilit dhe Abedinit, asnjëri prej tyre nuk pranoi të kishte gisht në vrasjet e mjekut nga Hasi, Behar Kastrati. Vëllezërit iu drejtuan gjykatës, që në momentin kur u njohën me masat e sigurisë që ishin marrë pak ditë para se të arrestoheshin se nëse gjykata provonte fajësinë e tyre të merrte ndëshkimin më të rëndë. Ndërsa dosja ishte ende në fazat e para të hetimit, vëllezërit në dëshminë e tyre që me kalimin e kohës edhe pse u përsërit mbeti e njëjta i mëshuan fort takimit të datës 7 korrik me ministrin Sokol Olldashi. Në procesverbalet e dosjes për vrasjen e Behar Kastratit u shkruan fjalët e Qamil Rexhës: “Në 7 korrik, unë dhe vëllai im, Abedini, mësuam se kishin shumë sëmurë nusen e xhaxhit dhe ishim nisur për vizitë. U nisëm pasdite vonë dhe në Qerret kemi takuar Sokol Olldashin. Ai po shkonte në Shijak. U takuam, pimë dhe kafe. Ai na tha të mos mërziteshim për këtë problem që kishim me të afërmen tonë. Më pas ne jemi larguar për atje ku ishim nisur”. Ndërsa dëshmia e Rexhëve ishte shumë e gjatë, duke dhënë variantin e tyre të detajuar për pafajësinë kjo frazë do të mbetet në mendjen e gjithkujt duke marrë dhe formën e alibisë. Gjatë gjithë procesit gjyqësor të pandehurit kanë përsëritur në mënyrë të herëpashershme që në sallën e gjyqit të vinte për të dëshmuar ministri Sokol Olldashi. Alibia që i rezistoi muajve dhe seancave gjyqësore duket se u hodh dje poshtë brenda dhjetë minutave. Gjithsesi, kjo i mbetet për t’u vendosur nga ana e kolegjit penal, që shqyrton çështjen dhe do të mësohet vetëm ditën kur do të shpallet vendimi.
12 Mars 2008