E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si dhe pse u vra Behar Kastrati tre vjet më parë

Vrasja në kronologji të plotë, ende pa një vendim përfundimtar. Botohet versioni i ngjarjes sipas hetuesve
Laureta Rryçi

Vrasja e Behar Kastratit ka më pak dritëhije tani se ditën kur u gjet i lidhur mizorisht në këmbën e një ure. I lënë qëllimisht për të mos u gjetur më, ulja e nivelit të ujit jo vetëm u mundësoi të afërmve të kishin të paktën një varr ku të qanin, por risolli pista të tjera hetimi. Pa kaluar shumë kohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pret dy fletarresti për vëllezërit Rexha. Ndërsa dosja shkon për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, varianti përfundimtar për vrasjen la sërish jo shumë të qartë motivin që shkaktoi vrasjen e mjekut nga Hasi dhe që ishte në të njëjtën kohë edhe kryetar i Partisë Demokratike të asaj zone.
Versioni i prokurorisë
Në datën 08.07.2005, në orën 11.30, Policia Gjyqësore e Komisariatit të Policisë së Hasit është njoftuar nga shtetasi Flamur Kastrati se që nga mbrëmja e datës 07.07.2005 nuk është paraqitur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e vëllait të tij, Behar Kastrati, i datëlindjes 1964, i biri i Faikut dhe i Sadijes, lindur në Brrut Has dhe banues në qytetin e Krumës. Humbja e kontaktit me të ka ndodhur që prej orës 23:30 të datës 07.07.2005 e në vazhdim. Më datën 27.08.2005, në fshatin Kolsh të rrethit të Kukësit, në rrugën automobilistike Kukës-Tiranë dhe pikërisht në vendin e quajtur “Ura e Kolshit”, pesë metra nga këmba e katërt e urës dhe 8 metra nga bregu verior i liqenit, u zbulua një kufomë e zhytur në ujë, ku dallohej pjesa e prapme e kokës dhe shpina. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes gjatë nxjerrjes së kufomës, u konstatua se kufoma ishte lidhur në dy shtylla betoni nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litari në qafë, trung dhe këmbë. Nga veprimet hetimore të kryera më tej, rezultoi se kufoma e gjetur i përkiste shtetasit Behar Kastrati. Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera është bërë e mundur që të merren të dhëna të dobishme për hetimin e kësaj çështjeje, në lidhje me implikimin e mundshëm të tre shtetasve si autorë të rrëmbimit me pasojë vdekjen të shtetasit Behar Kastrati. Më konkretisht rezulton se personat e implikuar janë shtetasit Qamil Rexha, lindur në Krumë dhe banues në Durrës, Abedin Rexha, lindur në Krumë dhe banues në Durrës, si dhe shtetasi Ibrahim Geci, lindur në Krumë, Has. Në kuadër të veprimeve hetimore është arritur të përcaktohet dhe motivi i kryerjes së këtij krimi nga tre autorët e sipërpërmendur. Motivi ka të bëjë me vdekjen e vëllait të Qamil dhe Abedin Rexhës, shtetasit Gani Rexha, në vitin 1995, i cili ka vdekur nga infarkti i miokardit në Spitalin Civil të Krumës. Si shkaktar për këtë vdekje, vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexha kanë bërë mjekun Behar Kastrati, i cili ditën kur ka vdekur Gani Rexha ka qenë mjek roje dhe nuk ka qenë në detyrë. Provohet se pas kësaj ngjarjeje, mes të dyshuarit Qamil Rexha dhe viktimës Behar Kastrati për këtë shkak ka pasur një konflikt, i cili ka avancuar me goditjen që Qamili i ka bërë Beharit në publik. Me idenë e hakmarrjes, vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexha kanë organizuar gjithë ngjarjen e datës 07.07.2005. Për këtë arsye, shtetasi Qamil Rexha më datë 02.07.2005 ka ngarkuar personin nën hetim, Ibrahim Geci, të ruante të gjitha lëvizjet e viktimës Behar Kastrati deri më datën 07.07.2005, datë kur është rrëmbyer ky i fundit. Nga ana e personit nën hetim Ibrahim Geci, që nga data 02.07.2005 deri më datë 07.07.2005, shtetasi Behar Kastrati është mbajtur nën vëzhgim në të gjitha lëvizjet e tij në qytetin e Krumës. Më datë 07.07.2005 nga ana e Ibrahim Gecës, të dyshuarve Qamil Rexha dhe Abedin Rexha, të sapoardhur nga qyteti i Durrësit, u është dhënë informacioni i saktë mbi lëvizjet e Behar Kastratit në këtë periudhë, si dhe vendndodhja e tij në mbrëmjen e datës 07.07.2005. Pasi kanë mësuar nga Ibrahim Geci se Behar Kastrati ndodhej në lokalin e vëllait të tij, Flamur Kastrati, shtetasit Qamil dhe Abedin Rexha e kanë pritur atë duke dalë në ambientet pranë pallatit ku ai banonte. Pasi kanë kontaktuar drejtpërdrejt me të, ata e kanë marrë në automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas e kanë vrarë. Pas kësaj e kanë lidhur në dy shtylla betoni dhe e kanë hedhur në Liqenin Fierzës në Kukës, vend ku është gjetur kufoma pas rënies së nivelit të ujit rreth 40 ditë pas rrëmbimit të tij. Duke iu referuar faktit penal si dhe provave e deklarimeve të administruara deri tani në kuadrin e hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, të pandehurit Qamil dhe Abedin Rexha si dhe i pandehuri Ibrahim Geci e kanë rrëmbyer viktimën Behar, e kanë transportuar me mjetin e tyre dhe e kanë vrarë më pas në urën e Kolshit, në dalje të Kukësit, në rrugën automobilistike Kukës-Tiranë. Pra të tre të pandehurit provohet se kanë një marrëveshje të mëparshme për kryerjen e kësaj vepre penale dhe me veprimet e tyre kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilat akuzohen.

Akuzat zyrtare për tre të pandehurit

1. Qamil Rexha, i biri i Sahitit dhe i Hates, lindur më 22.12.1957 në Golaj, Has, banues në Katundin e Ri, Durrës, i dënuar më parë, hetuar me masë sigurimi “Arrest me burg”, i
akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 109\3 e 25 i Kodit Penal
2. Abedin Rexha, i biri Sahitit dhe i Hates, lindur më 12.09.1962, lindur në Shpërdhet, Krujë, banues në Katundin e Ri Durrës, i rehabilituar, hetuar në masë sigurimi “Arrest në burg”, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 109\3 e 25 i Kodit Penal.
3. Ibrahim Geci, i biri i Dervishit dhe i Hamites, lindur më 31.10.1956 dhe banues në Krumë, Has, i padënuar më parë, i hetuar në masë sigurimi “Arrest në burg”, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 109\3 e 25 i Kodit Penal si dhe për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Mbajtje pas leje të municioneve dhe lëndëve plasëse”, parashikuar nga Nenet 278\2 e 3 i Kodit Penal.

Kronologjia

Data 7 korrik 2005
Zhduket doktor Behar Kastrati, kreu i Partisë Demokratike në Has dhe drejtues i shtabit elektoral të kandidatit për deputet Jemin Gjana. Denoncimi në Komisariatin e Krumës është bërë nga familjarët.

10 korrik 2005
Përpara godinës së Bashkisë së Krumës është gjetur një letër me shkrim dore, ku thuhej: “Nëse doni të gjeni të gjallë Beharin, duhet të arrestoni Skënder Ngjeçin dhe Gëzim Cahanin”. Letra është dorëzuar në Policinë e Krumës nga disa kalimtarë të rastit.

11 korrik 2005
Për të hetuar mbi zhdukjen e mjekut nga Hasi Behar Kastrati, institucionit të akuzës i është dashur të bëjë përgjime në ambiente publike. Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda që t’i japë lejen për të realizuar disa përgjime.

11 korrik 2005
Punonjësit e Spitalit të Krumës duket se e kanë të vështirë të vazhdojnë punën pa kolegun e tyre. Mjekët dhe i gjithë personeli i këtij spitali i ka dërguar një letër Presidentit Alfred Moisiu me shpresën se ky i fundit do t’i ndihmojë sadopak për ta gjetur atë.

13 korrik 2005
Prokurorët e Krimeve të Rënda ngrenë 6 pista hetimi në mungesë të provave konkrete. Motive personale, pengmarrje, motive politike, konflikte të vjetra, manipulim, motive për shkak të profesionit, janë pistat e ngritura nga organi i akuzës dhe që janë në hetim.

14 korrik 2005
Numri i personave të shoqëruar ka arritur në 70, askush nuk ka mundur të hedhë më shumë dritë mbi zhdukjen e mjekut Behar Kastrati. Ndërkohë, një grup i deputetëve të PD-së, i kryesuar nga sekretari i kësaj partie, Ridvan Bode, do të vizitojnë familjen Kastrati.

20 korrik 2005
Flet vëllai i Behar Kastratit. “Çdo gjë e kemi lënë në dorën e policisë, por po e shohim se edhe ata nuk janë duke e bërë në rregull punën e tyre”, - pohon Kasemi paksa i zhgënjyer për atë që është bërë deri tani. Ai thotë se as policia nuk ka pistë të saktë hetimi.
22 korrik 2005
“Ndonëse shpresat po shuhen, unë vazhdoj t’u bëj thirrje në emër të profesionit të Beharit, familjes dhe fëmijëve të tij, që nëse dikush ka ende ndjenjë njerëzore e shpirt e nëse e ka në dorë të gjallë djalin tim, ta lëshojë. Do t’i vëmë kapak kësaj gjëme, vetëm të na gjendet djali e të na kthehet gjallë”, - shprehet babai i të zhdukurit.

28 gusht 2005
Gjendet trupi i pajetë i kreut të Partisë Demokratike të Hasit, Behar Kastrati, i cili ishte zhdukur që në datën 7 korrik të këtij viti. Ai është gjetur nga disa fëmijë që kanë shquar një kufomë pranë Urës së Kolshit në Kukës. Sipas burimeve policore të këtij qyteti, trupi i pajetë kishte dalë në sipërfaqe si pasojë e uljes së nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës.

29 gusht 2005
Makina që transportonte trupin e pajetë të mjekut të Hasit u nis në drejtim të Krumës rreth orës 24:00 të së dielës dhe ka mbërritur në orën tetë të së hënës. Për gati dy orë, trupi i tij ka qëndruar në shtëpi dhe më pas është nisur drej varrezave të qytetit.

28 tetor 2005
Janë shoqëruar në Komisariatin e Kukësit 15 persona nga rrethi i Hasit. Burime nga Policia e Kukësit kanë bërë të ditur se pasditen e së premtes janë shoqëruar 15 persona të një fisi nga rrethi i Hasit. Personat e shoqëruar janë marrë në pyetje për disa orë rresht nga prokurorë të Krimeve të Rënda rreth ekzekutimit të ish-kreut të PD-së së Hasit, Behar Kastrati.

11 nëntor 2005
Kanë kaluar 127 ditë nga zhdukja e kreut të PD-së Behar Kastrati dhe policia ka vënë në pranga dy autorët e vrasjes së tij, vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexha, të cilët banonin në Katund të Ri, në Durrës. “Asi në mëngë” i prokurorëve të Krimeve të Rënda ishte fakti se që nga zhdukja e Kastratit, Qamil Rexha kishte lëvizur mes Hasit dhe Durrësit, madje edhe përgjimet ambientale kanë hedhur më shumë dritë rreth hetimit të kësaj ngjarjeje.

12 nëntor 2005
Vëllezërit Rexha kanë dalë përpara gjyqtarit të Krimeve për Rënda për komunikimin e masës së sigurisë. Kjo e fundit ishte arrest në burg, vendosur disa ditë më parë, kur është bërë dhe arrestimi i tyre në qytetin Durrësit. Në seancën gjyqësore, Qamil dhe Abedin Rexha e kanë mohuar akuzën se kanë vrarë mjekun e Hasit.

13 nëntor 2005
Ekzekutimi i Behar Kastratit dyshohet se ka ndodhur natën e rrëmbimit të tij. Sipas versionit zyrtar të deklaruar nga Prokuroria, mjeku nga Hasi mendohet se është ekzekutuar vetëm pak orë pasi ishte rrëmbyer pranë banesës së tij. Duke u bazuar në të gjitha dëshmitë, hetuesit kanë në duar skemën e krimit.

28 nëntor 2005
Dosja e vrasjes së mistershme të mjekut nga Hasi, Behar Kastrati, tani ka një bashkëpunëtor. Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë arritur të bindin një nga personat për të cilët është prerë fletarresti që të dëshmojë të vërtetën mbi këtë ngjarje. Burime pranë institucionit të akuzës bënë të ditur për “Tirana Observer” se prej pak ditësh dosjes së bashkëpunëtorëve i është shtuar dhe Ibrahim Geci.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›