E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëri civile, apo “shoqëri e masave”?

Gëzim TUSHI
Shumë realitete sociale, koncepte, dukuri dhe institucione në shoqërinë tonë, në perceptimin publik dhe konceptimin institucional, shfaqen të paqarta, pse jo dhe të deformuara në konceptim. Jo aq për shkak të tautologjisë terminologjike, se sa nga mungesa e perceptimit adekuat të përmbajtjes së tyre institucionale. Ky problem nuk është aq i thjeshtë sa duket në pamje të parë. Deformimet konceptuale janë të dëmshme sepse ndikojnë në deformimin e realitetit social dhe të marrëdhënieve konceptuale dhe institucionale midis tyre. Për tu marrë vesh me njëri tjetrin është më së pari e domosdoshme të sqarojmë termat, konceptet dhe pastaj të gjykojmë për praktikat. Kjo gjë të shqetëson, sepse në trajtimin politik, mediatik dhe në jetën e përditshme bie në sy, një trajtim kakofonik i konceptit dhe realitetit të shoqërisë civile, e cila shpesh në shumë shkrime gazetareske dhe interpretime mediatike, konfondohet padrejtësisht me konceptin e një “shoqërie masash’, sipas modelit të vjetër holist.
Megjithëse kanë kaluar shumë kohë nga përmbysja e shoqërisë së vjetër totalitariste, ndihen recidiva konceptuale deformuese të mentalitetit kolektivist, të prirjes për të vlerësuar shoqërinë civile sipas konceptit të vjetër si “një e tërë”, në të cilën humbet individi, individualiteti dhe identiteti i tij. E keqja është se ky konfondim konceptual ka impakte praktike që ndikojnë në vlerësimin e gjërave në realitetin tonë social. Ky mentalitet gjen pasqyrime të dukshme, në marrëdhëniet sociale të individit me strukturat sociale kolektive. Megjithëse më me kujdes në përdorimin teorik, edhe pse nuk përdoret si koncept nominal, shpesh ndihen recidiva të konceptit të vjetër të “shoqërisë së masave”, të mbivlerësimit të të forcës së “opinionit publik”, të nënvleftësimit të individit dhe rolit të tij personal. Maskimi I thelbit të mentalitetit të vjetër kolektivist nuk mund të realizohet me sukses deri në fund, duke përdorur terminologji të re, për të fshehur koncepte apo përmbajtje të vjetër. Në shumë raste koncepti i “shoqërisë së masave”, i mbivlerësimit të sasisë, kolektiviteteve të gjëra, fshihet pas konceptit dhe praktikës së shoqërisë civile. Në të vërtetë këto koncepte nuk janë të ngjashme, aq më pak të barabarta. Koncepti i shoqërisë civile, si tërësi e organizimeve shoqërore të njerëzve në shoqata me interesa të diversifikuara, është i ndryshëm nga koncepti unitarist dhe holist i “shoqërisë së masave”. Në këtë debat ka pikëpamje të ndryshme, madje edhe krejt të kundërta. Historinë e bën njeriu thotë Xhon Ljuis i cili është kundër pikëpamjes së Altyserit që mendon se “historinë e bëjnë masat”.
“Shoqëria e masave”, në kohën tonë kur mungojnë “vjegat” e ideologjive të mëdha për t’i mbajtur njerëzit të lidhur pas njëri tjetrit si “turmë shoqërore apo klasore”, nuk mund të jetë tjetër gjë, veç në rastin më të mirë një shoqëri e përbërë nga individë të rastësishëm, të shpërndarë në mënyrë kaotike, me një nivel të ulët veprimtarie shoqërizuese. Ajo ndryshon krejt nga organizimi modern i njerëzve, në shoqata, grupe interesi, sindikata, parti politike, fetare, etnokulturore, etj. Ky organizim I shoqërisë moderne në formë civile ka në qendër qytetarin e lirë, që ka të drejtë të organizohet ose të vetorganizohet si të dojë dhe me kë të dojë, duke refuzuar të ashtuquajturën “shoqëri e masave”, si turmë që është më e lehtë për tu manipuluar, për t’u mobilizuar nga sipër.
Masat në formë të tillë janë të vështira për t’u qeverisur, sidomos kur tek ato shpërthejnë pasionet e tyre të pakontrolluara e momentale. Mjafton të kujtojmë rastin fatkeq të vendit tonë në ngjarjet tragjike të vitit 1997 në Shqipëri, veprimet kaotike, anarkike dhe histerinë masive që mbërtheu njerëzit tanë nga kriza e fajdeve. Besoj se ky fakt është një shembull “par exellence” për të vërtetuar se sa efekt social negativ ka ndërtimi I shoqërisë mbi parimin koncepual, politik e social të masave si turmë e manipulueshme nga të tjerët për qëllimet e tyre diabolike. Në këtë kontekst për ne është ende imperative që të punojmë më drejtimin e duhur, duke ju larguar gjithnjë e më shumë konceptit të vjetër të “shoqërisë së masave” dhe duke ju afruar praktikës së “shoqërisë civile” që është e kundërta e “shoqërisë së masave”. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të kësaj të fundit, nuk është veprimtari e institucionalizuar, por kaotike, voluntariste, momentale dhe në shumë raste e instrumentalizuar.
Në përgjithësi në se do të shikosh reagimet historike kundër organizimit civil të shoqërisë, kundër ndarjes së saj në shoqata e grupe interesi, politike, kulturore e profesionale, kanë qenë burra shteti me prirje autoritariste e diktatoriale, të cilët e kanë konsideruar “jetën e shoqërizuar” si armike të autoritetit të tyre. Koncepti pezhorativ i konsiderimit të tyre si “shoqata dytësore” është përdorur, fjala vjen, nga gjenerali i shquar De Gol, i cili, në vazhdim të një tradite të trashëguar dhe të rrënjosur, nga mendimi filozofik i së kaluarës në shoqërinë franceze, ka qenë absolutisht kundër tyre. Ai dhe shumë të tjerë si ai e konsideronte shoqërinë civile, si krejt të panevojshme. De Goli, konsiderohet një nga liderët, që tentoi të mbante shoqërinë franceze gjatë sundimit të tij, (1958- 1969), në nivelet më të ulëta të shoqërizimit.
Në lidhje të ngushtë me konceptin populist, të “shoqërisë së masave”, është abuzimi që përdoret rëndom në shoqëri me konceptin e të “së mirës dhe të interesit publik”, e cila shpesh trajtohet në formë abuzive, si formë absolute e së “mirës komunitariste”, duke neglizhuar në të njëjtën kohë karakterin pluralist të botëkuptimit dhe të interesave sociale të njerëzve. E mira publike, nuk mund të jetë mohim absolut i kërkesave legjitime, të grupeve të ndryshme në shoqëri, që kanë interesa të ndryshme nga një ide e propozuar, e cila, megjithëse mund të jetë e përgjithshme, nuk mund të jetë totalizuese dhe nihiluese e interesave të njerëzve dhe grupeve të vecanta. E “mira publike” nuk mund të jetë e tillë, veçse kur shikohet, trajtohet dhe realizohet si një “politikë elegante kompromisi”, midis larmisë së interesave sociale të grupeve të ndryshme në shoqëri, pavarësisht në se ato, janë në maxhorancë apo në minorancë. Shoqëria civile, është mjeti që realizon dhe organizon bashkëveprimin, bashkekzistencën dhe bashkëjetesën e interesave të veçanta rajonale, partikulariste me kërkesat e interesit publik, kombëtar, politik, ekonomik dhe shoqëror. Por ajo nuk është absolutisht “shoqëri masash”, por “shoqëri qytetarësh”, që kanë të drejtën dhe lirinë të shfaqin, të kërkojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre të veçanta, pa cenuar dhe pa ju kundërvënë interesit të përgjithshëm publik.
Në shumë raste fjala vjen, koncepti i “shoqërisë së masave”, konsiderohet gabimisht i barabartë me një koncept në dukje modern dhe me përdorim të gjerë, siç është “komuniteti”, i cili gjithashtu shtrembërohet, si koncept dhe si praktikë sociale. Ky konfondim nuk është vetëm me pasoja teorike por, edhe praktike, sepse ndikon në deformimin e thelbit dhe funksionit të shoqërisë civile. Komuniteti nuk është e kundërta e individit dhe aq më pak mohim i të drejtës së tij të ekzistencës së pavarur dhe identitet njerëzor më vete. Në të njëjtin kuptim, “ndjenja komunitare” nuk është e kundërta e “dëshirave individuale”. Komuniteti, nuk është dhe nuk duhet të jetë, në antagonizëm me individin dhe dëshirat e tij të lira. Në qoftë se nuk trajtohet me kujdes nuanca demokratike e një strukture sociale të tillë, siç është komuniteti dhe po qe se nuk përcaktohen “të drejtat e saj”, të kufizuara përballë të drejtave të individit dhe të individualitetit, atëherë ka rrezik që të mbivlerësohet e drejta e pakufizuar e komunitetit, të ekzagjerohet roli dhe rëndësia e tij, duke cenuar thelbin e shoqërisë moderne, që ka si parim kryesor që përmes komunitetit t’i japë prioritet lirisë së ekzistencës së njeriut, familjes dhe grupeve të tjera sociale, interesave të shumta që njeriu ka dhe dëshiron të realizojë personalisht, si familje apo në grupe më të vogla sociale.
Mbivlerësimi tej mase i rolit të komunitetit, në pamje të parë të josh, me thelbin kolektivist dhe komunitarist, por në thelb është një recidiv i dukshëm i “shoqërisë së masave”, që totalizon interesat komunitare, i prioritarizon ato, në raport me individin, duke cenuar thelbin tolerant të shoqërisë së hapur dhe demokratike. Duke analizuar këtë dukuri mendimtari i politikave krahasuese L. Mayer thotë se “Teoria e komunitetit thekson ekzistencën e vlerave të njohura që përkufizojnë thelbin e komunitetit dhe nuk ka vend për tolerancën e institucionalizuar, që karakterizon shoqërinë e hapur…”

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›