E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni për patentat, Gjykata lë në burg kreun e Komisionit

FIER – Katër nga 10 të arrestuarit e patentave në Fier dolën dje para togave të zeza dhe iu komunikua masa e sigurisë. Gjykata vendosi masën arrest me burg për Emiljano Monen, 30 vjeç, kryetar i Komisionit për pajisjen me leje drejtimi pranë DRSHTRR-së. Ai akuzohet për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim. E njëjta masë u vendos edhe për dy të arrestuarit e tjerë, Dilaver Shyti, 43 vjeç, pronar i një lokali privat që dyshohet për veprën penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, dhe Bujar Tahirin, 58 vjeç, pronar i autoshkollës Tahiri, që dyshohet për veprën penale të korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërkohë, për 42-vjeçaren Aldona Daka, punonjëse e Degës së Kryqit të Kuq në Fier, Gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Për të arrestuarit e tjerë Gjykata e Fierit do të vendosë ditën e sotme. Ata janë Redian Çuko, 29 vjeç, ish-punonjës i DRSHTRF dhe Agron Salikos, 42 vjeç, shofer dhe furnitor pranë këtij institucioni. Në kuadër të operacionit Patentat e dyshuara u prangosën edhe katër persona të tjerë. Tre prej tyre, Emiljano Bushi, 28 vjeç, anëtar i Komisionit për pajisjen me leje drejtimi për mjete, Xhevair Caushi, 57 vjeç, punonjës i pranimit të dokumenteve për pajisjen me leje drejtimi në DRSHTRF dhe Paskal Bello, 48 vjeç, anëtar i Komisionit për pajisjen me leje drejtimi, dyshohen se kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërsa ndaj titullarit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Fier, Luan Baçi, nuk janë siguruar prova për mitmarrje. Ai dyshohet vetëm për ndikim tek vartësit e tij për dhënien e patentave abuzive dhe, për këtë shkak, është vendosur vetëm masa e pezullimit të tij nga detyra shtetërore. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›