Për 2 gota, vritet në sy të së bijës

Viktima Mond Telha
KORÇE/ Autorët, të afërm të gruas së viktimës. Vranë 44-vjeçarin se u shkaktoi dëme në lokal.
Vajza 14-vjeçare e Mond Telhasë: Babin e qëlluan sa hapi derën.
Për dy gota të thyera i merret jeta 44-vjeçarit në sy të vajzës minorene. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen 10 të qytetit të Korçës, pak pas mesnatës së të martës, kur viktima Mondi Telha është goditur me mjet të mprehtë në korridorin e banesës së tij nga dy të njohur.
Autorët e identifikuar si Francesko dhe Nektario Cuka i kanë marrë jetën 44-vjeçarit për shkak të një sherri banal që kishte ndodhur mëngjesin e së martës në lokalin që kishin me qira, ndërsa mësohet se ata ishin daja dhe kushëriri i parë i bashkëshortes së viktimës. Pasi kishte konsumuar alkool, Mondi Telha kishte nisur të thyejë disa gota, 2 shishe birre, gjë që ka shkaktuar një përplasje deri në fyerje banale mes palëve. Pas kësaj, viktima është larguar, por kjo grindje dhe fyerje nga ana e tij nuk i ka lënë të qetë autorët të cilët, pasi janë dehur deri në mesnatë, i janë drejtuar banesës së 44-vjeçarit. Sipas Policisë, autorët kanë shkuar tek shtëpia e viktimës në orën 00:20 pas mesnate dhe, pasi viktima ka hapur derën, ata menjëherë e kanë qëlluar për vdekje. Pas zbardhjes së ngjarjes, Policia ka ndërtuar edhe skemën e vrasjes, ku një ndër dëshmitë kyçe ishte ajo e vajzës 14-vjeçare, Dorjanës, që ndodhej në banesë kur i ati u qëllua për vdekje.
Çfarë ndodhi në mesnatë në shtëpinë tuaj?
Ishim në gjumë kur trokiti dera dhe unë u tremba nga trokitja e fortë. I thashë babait që të mos e hapte, por ai më tha që të mos trembesha se nuk kishte gjë.
Ti ishe vetëm në shtëpi në ato momente. Ku ishte nëna me motrën?

Dorjana Telha, vajza e viktimës
Po isha vetëm me babain në shtëpi mbrëmë. Mami me motrën kishin shkuar tek gjyshja në fshat dhe do të rrinin aty për darkë, do të vinin ditën tjetër.
A i pe personat që qëlluan babain tënd? I njihje ata?
Po, i pashë. Sapo babai hapi derën, brenda në shtëpi hyri daja i mamasë, kurse mbas tij djali i tij. Djali i dajës nxori menjëherë thikën dhe e qëlloi babain tri herë rresht me të.
Po ti çfarë bëre?
Unë ulërita me të madhe. U afrova menjëherë pranë babait dhe e pashë të mbuluar në gjak. Doja të dilja që të kërkoja ndihmë jashtë pallatit, por ata u munduan të më qetësonin. Më thoshin: Ska gjë, mos trego për këtë që ndodhi. Ata e morën me vete babain të gjakosur, e hipën në një taksi dhe e çuan në spital. Kur shkuam aty, mjekët na thanë se babai kishte vdekur nga plagët që kishte marrë nga goditjet e thikës. Pastaj erdhi policia dhe i kapi ata të dy.
Ishte grindur babai yt me ta më parë? Dëgjove të ziheshin para se ta qëllonin me thikë?
Jo, sapo hynë në derë njëri pas tjetrit, menjëherë djali i dajës së mamasë i nguli thikën babait pa folur fare.
Viktima merrej me punë sezonale
Familjarët e viktimës, i cili ishte baba i dy fëmijëve, tregojnë se Mond Telha ishte mjaft i qetë dhe kujdesej për shtëpinë duke punuar në punë të ndryshme, herë si kopshtar e herë të tjera në ndërtim. Megjithatë, familja Telha ndodhej në kushte të vështira ekonomike dhe e përballonte jetesën me vështirësi. Vrasja e kryefamiljarit e ka tronditur plotësisht familjen, ndërsa e shoqja ka qenë në gjendje shoku gjatë gjithë kohës.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI