Korrupsioni, plan veprimi për shëndetësinë
Mblidhet Task-Force. Berisha: T’i rikthejmë dinjitetin figurës së mjekut, t’i rrisim rrogat
Shëndetësia ka bërë disa hapa, por nga ana tjetër ka ende punë për të bërë. Në këtë kuadër, por duke përfshirë edhe disa elementë të rëndësishëm për të çuar më tej reformën shëndetësore, dje pranë Kryeministrisë, është kryer takimi i radhës mes përfaqësuesve të këtij sektori.
Rritja e pagave të mjekëve duhet marrë në konsideratë. Bashkë me këtë detaj, përfaqësuesit kanë vlerësuar se është e rëndësishme që në kuadër të reformës në shëndetësi të ketë edhe një plan veprimi, tek i cili të jenë parashtruar hapa konkretë dhe prioritete. Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e radhës e Task-Forcës për reformën në shëndetësi.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjitha masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë.
Në fund të diskutimeve, Kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që, pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t’i përcillet grupit ndërinstitucional. Kryeministri Berisha theksoi edhe njëherë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor.
“Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, sesi ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdolloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi”, tha Kryeministri Berisha gjatë takimit me përfaqësuesit e Task-Forcës. Sipas tij, deri tani janë bërë përpjekje të mëdha dhe ka pasur progres të pamohueshëm në drejtime të ndryshme në fushën e mjekësisë.
#