Lista e barnave me rimbursim, miratohet të mërkurën
Përfundojnë procedurat, restaurimet, rishikimet e listës së re të 2010. Përfshihen 20 alternativa të reja
Më në fund lista e barnave me rimbursim u zhbllokua nga të gjitha “hallet” që i kishin rënë në pjesë. Ditën e mërkurë, atëherë kur edhe Këshilli i Ministrave sipas “ritualit” të zakonshëm mblidhet për të marrë vendime, pritet që lista e re e barnave me rimbursim të miratohet dhe në mes të këtij muaji të hyjë në fuqi. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që pritet që pjesë e listës të jenë plot 20 alternativa të reja.
Sipas dikasterit të implementimit të politikave shëndetësore, lista nuk është kufizuar, nuk ka barna të shkurtuara, është pak a shumë një listë e ngjashme me vitin e kaluar. Bashkë me këto risi pritet që me miratimin e listës së re t’u jepet fund edhe problemeve të krijuara me grosistët, furnizuesit e medikamenteve, për shkak të zhvlerësimit të lekut në tregun e këmbimit të valutës dhe mbivlerësimit të monedhës së eurozonës.
Lista e re
Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion këtë vit rreth 5.3 miliard lekë për ilaçet e rimbursueshme. Artikujt e ri të përfshira në këtë listë kryesisht do të përdoren për të gjithë pacientët kronikë, shumica për moshën e tretë dhe për kontingjentin e pacientëve që vuajnë nga sëmundje specifike, për të cilat rimbursimi mundësohet nga buxheti i shtetit, akorduar për barnat. Lista e re e barnave do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe dy javë pas botimit në
Fletoren Zyrtare.
Deri tani dikasteri i shëndetësisë nuk ka pranuar se komisioni i hartimit dhe rishikimit të listës, të ketë bërë shkurtime apo reduktime të barnave. Por njësoj si vitet e kaluara kur është deklaruar e njëjta frazë, farmacistët dhe vetë kontingjenti i pacientëve që rimbursohen do të thonë nëse vërtet kjo listë është bujare apo dorështrënguar. Do të jenë specialistët e fushës që do të gjykojnë nëse klauzolat e rimbursimit të medikamenteve janë dashamirëse, apo ‘cinike” ashtu sikundërse ndodhi pak vite më parë, me pacientë kronikë, të prostatës, obezë apo kategori të tjera që u përjashtuan nga rimbursimi për shkak të klauzolës shpjeguese, përbri medikamentit të shkruar në listën e barnave.
Kategoritë
Grupet të cilat përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim, janë kryesisht pacientët kronikë, me diabet, tension, veshka, prostatë, probleme kardiovaskulare, të sëmurë që kryesisht vuajnë nga sëmundjet neurologjike apo të tjerë, të cilët duhet të trajtohen për sëmundje specifike dhe shteti ka menduar që barnat për ta duhet të merren me doemos me rimbursim. Më shumë se çdokush tjetër, pacientët që ankohen më shumë dhe janë ankuar për pesë vjet rresht nga listat e barnave kanë qenë pensionistët. Sindikata në mbrojtje të të drejtave të moshës së tretë çdo vit ka hedhur aludime se ilaçet me të cilat trajtohen këta pacientë janë të një cilësie të dobët dhe jo efektive.
Të gjitha këto deklarata janë bërë nga kreu i kësaj sindikate menjëherë pas miratimit të listës së barnave me rimbursim, edhe atëherë kur ilaçet e përfshira në listë kanë qenë alternativa të reja, të prodhuara nga Kompani të njohura që operojnë në industrinë e farmaceutikëve.
#