Kompanitë britanike preferojnë Kosovën për investime
Kompanitë britanike më shumë synojnë të investojnë në Kosovë sesa në Maqedoni, duke konsideruar se në këtë vend (Kosovë) ka shumë burime dhe mundësi të shumta të pashfrytëzuara. “Paqartësia lidhur me emrin e vendit, administrata e ngadaltë dhe ligjet e paqarta në vend e kanë bërë Kosovën një destinacion më atraktiv sesa Maqedonia për kompanitë e Britanisë së Madhe”, vuri në dukje ditët e fundit numri 1 i bashkësisë së biznesit britanik, Rej Pauer. “Maqedonia aktualisht po kalon një periudhë mjaft të vështirë, për shkak të problemit me emrin. Kurse kompanitë tona gjithnjë synojnë t’i pakësojnë deri në minimum rreziqet dhe, kështu, ato mendojnë se kur Maqedonia të dalë në ‘rrugë të drejtë’, atëherë do të marrin vendimin për të investuar në këtë vend”, tha z. Pauer, duke theksuar, nga ana tjetër, se “Kosova ka një situatë të parashikueshme, në dallim nga Maqedonia, ku gjërat gjithnjë shtyhen e shtyhen dhe këto shtyrje, ndërkohë, kushtojnë shumë para”. “Njoh dy investitorë që duan e përpiqen që të investojnë prej kohësh në Maqedoni, madje ende përpiqen, ndërkohë që në Kosovë situata është ndryshe. Atje për tri javë i mbaron të gjitha punët dhe arrin të nënshkruash marrëveshjen përkatëse të mirëkuptimit. Në fakt, nuk është fjala se në Maqedoni mungon vullneti për të tërhequr investime të huaja, por për shpejtësinë me të cilën lëviz burokracia dhe që lë për të dëshiruar”, tha kryetari i bashkësisë së biznesit britanik. Që Kosova e ka kaluar tanimë Maqedoninë në garën për tërheqjen e investimeve të huaja, e pranon edhe vetë media maqedonase, e cila si shembull sjell takimin e ditëve të fundit në Prishtinë të ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe Toni Bler me menaxherët e disa firmave britanike që operojnë ose kanë ndërmend të investojnë në Kosovë. Në një drekë pune me dyer të mbyllura në një nga restorantet e kryeqytetit kosovar, Bleri, sikurse thekson kjo media, duke iu referuar pjesëmarrësve në këtë drekë, u bëri thirrje kompanive e firmave britanike që kapitalin e tyre ta investojnë në këtë shtet të ri të Ballkanit. “Kosova ka një ekonomi që po rritet me shpejtësi dhe një terren solid për investimet tona, ndërkohë që, me të vërtetë, jemi të habitur nga shpejtësia, me të cilën projekti ynë potencial ka arritur deri në fazën, në të cilën ndodhemi tani”, thekson Pol Tejlor i kompanisë “Eastern Renewable Energy” të Londrës, kurse Jahim Erxhan i kompanisë tjetër londineze, DSF, vuri në dukje se “kemi ardhur në Kosovë që të analizojmë situatën për mundësitë e realizimit të projekteve komerciale e sociale tona dhe konstatuam këtu një potencial të madh; ky vend ka burime të mëdha”.
#