Trafik droge dhe armësh, pranga tre personave
Tre persona janë shoqëruar dje nga antikrimi i organizuar, pasi janë kapur me dy kilogramë drogë, një arsenal armësh dhe municionesh, teksa qarkullonin me një mjet me targa të huaja. Operacioni për kapjen e tyre ka nisur që në orët e paradites, por ka vazhduar deri në orët e natës, duke kryer një sërë kontrollesh nëpër banesat e tyre. Sipas të dhënave policore, operacioni ka filluar në rrugën e Kinostudios, ku një patrullë e policisë rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 4, kanë ndaluar një mjet me targa greke. Në mjetin tip “Seat” udhëtonin tre persona, që fillimisht u është gjetur pak lëndë narkotike, të cilën e mbanin me vete. Më pas, ata janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës, ndërkohë që prokurori ka urdhëruar kontrollin e banesave të tyre. Një prej tyre, i cili ishte besimtar mysliman, banonte te Rruga Ura, zonë që mbulohet nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4. Menjëherë në banesën e tij kanë shkuar shërbimet e antidrogës dhe ato të rendit, duke ushtruar kontroll në banesën e tij. Atje janë gjetur një pistoletë, disa fishekë dhe një peshore, që shërbente për peshimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, policia ka gjetur një sasi të vogël kanabisi. Në banesë, personi i shoqëruar kishte vetëm gruan myslimane, e cila është kontrolluar nga një punonjëse policie. Më pas, kontrolli ka vijuar në Babrru, zonë që mbulohet nga Komisariati Nr. 5 dhe që banonte një tjetër person i shoqëruar nga policia. Sipas të dhënave, në këtë banesë janë gjetur 2 kg kanabis, të paketuara dhe të përgatitura për t’u shitur. Gjithashtu, personit të shoqëruar i është gjetur edhe një numër i konsiderueshëm granatash, që i mbante në një arkë. Por pa mbaruar me kaq, kontrolli tjetër është ushtruar edhe te ish-uzina “Dinamo”, e mbuluar po nga Komisariati Nr. 4. Burimet policore thanë se kontrollet kanë vazhduar edhe gjatë orëve të vona të natës dhe ende nuk ishte vendosur arrestimi i të shoqëruarve. Sipas të dhënave, nëse të gjithë të shoqëruarit rezultojnë të implikuar, atëherë ata do të arrestohen për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, të “trafikut të armëve” dhe për “krijim të grupit të strukturuar kriminal”. Fillimisht ky operacion është nisur nga seksionet përkatëse dhe më pas puna hetimore është drejtuar nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orët e vona të natës, policia ka shoqëruar edhe shumë persona të tjerë, por ende nuk dihet pozicioni i tyre në këtë veprimtari kriminale dhe sot pritet të dalin detaje të reja gjatë komunikimeve zyrtare të policisë.
#