E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me golat e Salihit do fitojmë titullin”

Riedi synon që të fitojë titullin kampion sezonin e ardhshëm dhe për të arritur këtë objektiv shpreson te golat e Hamdi Salihit, sulmuesit të përfaqësueses shqiptare që aktivizohet të ekipi austriak prej dy sezonesh. 

Jetmir Halilaj

Drejtori sportiv i skuadrës, Stefan Reiter, ka thënë se Salihi është një sulmues i shkëlqyer dhe është padyshim një ndër më të mirët e Bundesligës 1 austriake. “Synimi i Riedit për sezonin e ardhshëm është që të fitojmë titullin kampion, – ka thënë Reiter për “sportnet.at”. – Ne kemi një ekip të konsoliduar tashmë dhe kemi gjithashtu, një supersulmues si Salihi, i cili padyshim është një ndër më të mirët e kampionatit austriak. Shpresojmë që ai të ruajë ritmin dhe të na ndihmojë me golat e tij që të realizojmë objektivat tona”. Bomberi shkodran realizoi 14 gola, 12 prej të cilëve i shënoi në kampionat dhe dy në Kupën UEFA. Megjithatë, Riedi i tij kaloi një sezon aspak mbresëlënës dhe u rendit i gjashti në tabelë, duke mos arritur të sigurojë një vend në Kupat e Evropës. 25-vjeçari kuqezi është një ndër lojtarët më të kërkuar të skuadrës së Riedit në merkato, por klubi i tij dëshiron që ta mbajë futbollistin edhe për sezonin e ardhshëm. “Kam pasur oferta nga disa skuadra, por drejtuesit e Riedit as që e çojnë ndërmend që të pranojnë largimin tim këtë verë. Ata duan që unë të qëndroj të paktën edhe sezonin e ardhshëm dhe sipas të gjitha gjasave, kështu do të ndodhë”, është shprehur Salihi pak ditë më parë. Sulmuesi Andreas Bamer është blerja më e re e Riedit për këtë sezon dhe ai do të kërkojë t’i zërë vendin Salihit, duke qenë se është një qendërsulmues i mirëfilltë. Ish-sulmuesi i Austria Karnten është shprehur i bindur se i ka të gjitha mundësitë që të fitojë duelin me rivalin shqiptar për vendin e titullarit në sulm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›