Korrupsioni, pranohet si provë përgjimi i gjyqtarit
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës duket se ka gjetur një zgjidhje për të mbajtur “në këmbë” dosjen penale të hapur për korrupsion ndaj ish-gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa. Bazuar në një kërkesë të Prokurorisë me objekt “sigurim prove”, Gjykata e Tiranës ka pranuar pak ditë më parë të konsiderojë fakt penal, regjistrimin e bisedës së përgjuar, e cila u bë shkak për hapjen e hetimeve dhe pezullimin nga detyra të ish-gjyqtarit, Qani Hasa. Lajmi është konfirmuar dje nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se pak ditë më parë, grupi i hetimit paraqiti në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për “sigurim prove”. Bashkë me kërkesën, Prokuroria depozitoi në gjykatë edhe regjistrimin zanor të bisedës në të cilën pretendohet se ish-gjyqtari i Elbasanit Qani Hasa, kishte marrë një ryshfet prej 3 milionë lekësh, për t’i ulur dënimin një personi të akuzuar për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Prokuroria u vu në pozitë të vështirë duke diskutuar edhe një pezullim të mundshëm të çështjes, pasi personi që ka paraqitur kallëzimin ndaj gjyqtarit, (shtetasi Ibrahim Hoxha) rezultoi të ishte emër i rremë. Në qytetin e Elbasanit ku ishte bërë edhe denoncimi në Prokurori, nuk u gjet një person me identitet të tillë, ndërkohë që dosja u transferua në Prokurorinë e Tiranës për shmangien e konfliktit të interesit pasi i hetuari ishte gjykatës në Elbasan. Në mungesë të emrit të vërtetë të personit që bëri denoncimin, Prokuroria u ndodh në vështirësi për ngritjen e akuzës edhe pse Këshillit të Lartë të Drejtësisë iu kërkua autorizim për heqjen e imunitetit të gjyqtarit. Qani Hasa u pezullua nga detyra, madje u thirr në Prokurori dhe u mor në pyetje ku mohoi akuzat. Ndërkohë, Prokuroria kërkoi vlerësimin paraprak të provës së vetme që ndodhet në dosje, përgjimit të bisedës ambientale e cila nuk ka pasur paraprakisht vendim gjykatë siç e kërkon procedura. Pas vlerësimit të përgjimit si provë penale nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë, në seancën për sigurim prove, organi i akuzës pritet të çojë para gjykatës edhe vetë gjyqtarin. Ai akuzohet për vendimin e dhënë ndaj shtetasit Geron Ocka, i cili është dënuar me pesë vjet nga dhjetë vjet burg që kishte kërkuar Prokuroria. Kjo e fundit ka pranuar dhe dënimi i dhënë nga gjyqtari Qani Hasa, pavarësisht dyshimeve për korrupsion, ka qenë brenda limiteve të përcaktuara nga Kodi Penal, i cili parashikon dënim nga 5-15 vjet burg për veprën penale që i adresohej Geron Ockës, të arrestuarit me një sasi kanabisi në qytetin e Elbasanit.