Thyen arrestin shtëpiak, arrestohet 25-vjeçari
KAVAJE - Një 25-vjeçar u arrestua dje pranë shtëpisë së tij në fshatin Spille të Kavajës, vetëm disa momente pasi ishte kthyer nga Italia. Burime nga policia thanë se arrestuan Zamir Xhelezin, i cili më shumë se një vit më parë theu masën e sigurisë së gjykatës “arrest shtëpie”, duke u arratisur jo vetëm nga vendi i qëndrimit, por edhe jashtë Shqipërisë. Në shkurt të vitit 2008 Xhelezi u arrestua nga policia e Kavajës, pasi kishte goditur me sende të forta personin që i kishte kërcënuar me automatik vëllain e tij në fshatin Spille, pas një konflikti për peshkimin. Por për këtë ngjarje, ai doli nga qelia e paraburgimit, 3 ditë më vonë, pasi gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Burimet sqaruan se në kohën kur Zamir Xhelezi duhej të qëndronte brenda katër mureve të shtëpisë, deri në përfundim të hetimeve, jo vetëm që kishte thyer masën e gjykatës, por kishte kryer një vepër tjetër penale. Në një lokal që ndodhet në fshatin Sharrdushk të Kavajës Xhelezi dyshohet se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, si dhe ka djegur automjetin tip Iveko, në pronësi të xhaxhait të tij. Policia pasi kreu veprimet procedurale dhe materialet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr” e “prishje të qetësisë publike”, e shpalli atë në kërkim, edhe për “largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Por gjatë kësaj kohë, ai kishte arritur të kalonte kufijtë e Shqipërisë duke ikur në Itali, nga ku u kthye dje dhe menjëherë u arrestua nga policia.