Studimi, gjysma e nxënësve sëmuren nga ajri në klasë
zirina llambro
Prindërit shpesh nuk gjejnë shkakun. Fëmijët kthehen nga shkolla me sy të skuqur, kollë, hundë të bllokuara, dhimbje koke, apo të këputur. Nuk bëhet fjalë për ndonjë virozë stine. është një situatë që përsëritet vazhdimisht. Shqetësuese. Disa herë kontaktojnë edhe me mjekët. Por, ata mund t’u bëjnë derman vetëm kur gjendja shëndetësore e fëmijëve është përkeqësuar aq sa janë bërë alergjikë ose azmatikë. Ndërsa bluajnë me mendjen e tyre një mori arsyesh pse fëmijët mund të jenë sëmurë, pakkujt i shkon mendja, që shkaku i vërtetë i këtyre simptomave është pikërisht ajri i ndotur brenda klasave ku bëhet mësim. Nxënësit e shkollave në vendin tonë "helmohen" me toksina. Tre lloje substancash të rrezikshme për shëndetin, të cilat çlirohen vetiu në ambiente të mbyllura, të paajrosura, pa higjienë, apo që ngrohen me gaz dhe pajisje elektrike. Në shkollat tona ato tejkalojnë me disa herë normat e lejuara nga organizata botërore e shëndetësisë. Të dhënat e monitorimit të fundit, të ajrit të brendshëm në ambientet shkollore, janë alarmante. Parametrat janë matur në 10 shkolla 9-vjeçare të Tiranës, Durrësit e Shkodrës. Gjatë një takimi të organizuar dje nga qendra rajonale e mjedisit, specialistët prezantuan gjetjet e studimit. Zyrtarisht të dhënat pritet t'i dërgohen shumë shpejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, bashkë me rekomandimet përkatëse.
Sëmundjet nga toksinat
Nëse dikush hyn nga jashtë në një klasë plot me nxënës, do t'i duhet disa minuta të ambientohet me ajrin e rëndë të këtij ambjenti. Të qëndrosh 6 orë mësimi në kushte të tilla do të thotë të thithësh gazra që emetohen në ajër dhe që dëmtojnë rëndë shëndetin. Nga studimi i fundit, i bërë nga specialistët, 4 janë substancat kimike më të rrezikshme që janë gjetur me bollëk në klasa. Anhidridi Karbonik (CO2), Monoksidi i Karbonit(CO), Dioksidi i Azotit (NO2) dhe Formaldehida H2CO. Të gjithë këto elementë toksikë shkaktojnë shqetësime te fëmijët, duke nisur nga djegia e syve, kolla, bronkitet, alergjitë dhe astma. Nga të dhënat e studimit, i cili veç matjeve ka kryer dhe anketime të prindërve, rezulton se kanë shfaqur kollë për shkak të këtyre elementëve toksikë më shumë se 55% e nxënësve. Nga bronkiti mësohet se vuajnë 22 % e nxënësve ndërsa nga alergjitë 24% e tyre. Prej alergjive të rënda vuajnë 18% e nxënësve. Po kështu rezulton se 1 në 3 fëmijë shfaq simptomat e astmës. Specialistët kanë konstatuar se kjo situatë në shkolla vjen si pasojë e numrit të lartë të nxënësve në klasa, mësimi me dy turne, si dhe mungesa e ventilimit në ambientet shkollore. "Më problematike, situata paraqitej në qytetin e Shkodrës ku të gjitha shkollat përdornin gazin për ngrohje. Te nxënësit shkaktoheshin probleme mjaft shqetësuese për shëndetin", thanë specialistët. Një tjetër shkak, sipas tyre, është kujdesi i dobët në mbajtjen pastër të shkollës, përdorimi i detergjenteve jo në mënyrën e duhur. Ndërkaq specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Elida Mata, gjatë referimit të saj theksoi se problem mbetet edhe cilësia e ndriçimit apo rikonstruksioni i shkollave. Në takimin e djeshëm u konkludua se në radhë të parë duhet të sensibilizohen mësuesit e vetë nxënësit, për të mos lejuar ndotjen e ajrit të brendshëm. "Janë këshilla shumë të thjeshta, por shumë të rëndësishme për të ruajtur shëndetin e nxënësve nga dëmet e këtyre elementëve toksikë. Duhet bërë ajrimi i klasave, pastrimi i tyre, si dhe të futen sa më shumë bimë që pastrojnë ajrin", theksuan specialistët. Veç gazrave edhe mbetjet e ngurta në klasa, si pasojë e shkumësit që përdoret për të shkruar, pluhurit që vjen nga oborri kanë pasoja për shëndetin e nxënësve.
Shkaktare të ndotjes së ajrit
Numri i madh i nxënësve për një klasë
Mësim me 2 turne (shfrytëzim i klasës 200%)
Mungon sistemi qendror i ngrohjes
Mungon sistemi i ventilimit
Shkolla me rikonstruksion jo të plotë
Oborret e shkollave të pashtruara
Mungesa e mjaftueshme e luleve
Përdorimi i sobave me gaz dhe furnelave elektrike
Kujdes i dobët në mbajtjen pastër të shkollës
Përdorimi i detergjenteve ndotës, bojërave
Shkollat e monitoruara
Durrës Shaqe Mazreku
Marie Kaçulini
14 Nentori
Hasan Koçi
Shkodër "Ismail Qemali"
"Ndre Mjeda"
"Branko Kadia"
Tiranë "Jeronim De Rada"
"Sabaudin Gabrani"
"7 Marsi"
Lëndët toksike që kërcënojnë nxënësit
Anhidridi Karbonik (CO2) është një gaz pa ngjyrë 1,5 herë më i rëndë se ajri. çlirohet nga lëndët në djegie apo frymënxjerrja. Zakonisht përmbajtja e lartë e CO2 shkakton pakësimin e oksigjenit në gjak dhe paralizon frymëmarrjen, sistemin muskular dhe ndryshon ekuilibrin. Kjo është një nga arsyet pse nxënësit e shkollave kanë shpesh marrje mendsh, ndjesi lodhje, djegie sysh apo ënjtje." Ajri i kufizuar i klasave të mbyllura është i dëmshëm, kur përqendrimi arrin 3000-5000ppm. Në të gjitha shkollat që ne kemi monitoruar këto norma tejkalohen", u shpreh mjekja kimiste Rahmije Mehmeti, një nga specialistët që ka marrë pjesë në studimin e kryer. Ajo sqaroi se një tjetër gaz i dëmshëm që është gjetur jashtë parametrave në shkollat e monitoruara është Monoksidi i Karbonit(CO). Nivel më të lartë ka pasur në shkollat e Shkodrës, të cilat përdornin të gjitha për ngrohje sobat e gazit. Monoksidi i karbonit shkarkohet gjatë djegies së këtyre lëndëve. "Thithja e gazit ndodh nëpërmjet rrugës respiratore. Gazi pasi arrin në qarkullimin e gjakut, zëvendëson O2 e hemoglobinës dhe formon karboksihemoglobinën, frenon frymëmarrjen qelizore. Sot ka prirje të pranohet se ekziston një helmim kronik nga CO. Helmimi kronik zhvillohet pas (thithjes me anë të rrugëve të frymëmarrjes) për disa ditë 0,05-0,10 litër për m3 gjak", sqaroi kimistja Mehmeti. Ndërkaq, një tjetër element toksik që nxënësit e thithin me anë të frymëmarrjes është edhe Dioksidi i Azotit (NO2)". Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj NO2 në përqendrimet mbi 40-100 µg/m³ shkakton sëmundje me efekte të pashërueshme. NO2 formohet kryesisht nga proceset e djegies së brendshme, të cilat përdorin ajrin si oksidues. Një tjetër element toksik është element H2CO Formaldehida kryesisht nga tre lloj burimesh: termike, dekomopozimi kimik ose nga emetimi i solucioneve të ndryshme.