E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrësi i tronditur në gjykatë



Armand Bajrami

Romeo Leka, personi që të premten grabiti një bankë dhe më pas mbajti peng nën kërcënimin e armës një studente 19 vjeçare, do të qëndrojë i “kyçur” në qeli deri në përfundim të hetimeve.Masa “arrest me burg”, pa afat, u caktua dje për të nga Gjykata për Krimet e Rënda. Përveç masës së sigurisë, Gjykata urdhëroi Prokurorinë për kryerjen e një ekspertimi psikik për të pandehurin, pas shenjave të dhëna prej tij për çrregullime të mundshme mendore. Gjatë zhvillimit të seancës Romeo Leka shfaqte shenja të dukshme të një njeriu krejtësisht të shpërqendruar. Duke folur herë në shqip dhe herë në anglisht ai nuk ngurroi të flasë me ton urdhërues drejt gjykatës dhe prokurorit të çështjes brenda në sallën e gjyqit. Mbrojtësja ligjore e 25-vjeçarit, avokatja Kloida Dashi, pretendoi paqëndrueshmëri mendore të klientit dhe i kërkoi gjykatës si masë sigurie shtrimin e detyrueshëm të klientit në spital psikiatrik. Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për lënien e Lekës në masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas Prokurorisë, mbi Romeo Lekën rëndon akuza e “grabitjes me armë” në tre raste, “pengmarrje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
SEANCA
I veshur me të njëjtat rroba që u shfaq të premten, ku me dorën e majtë shtrëngonte dorën e një vajzë dhe në të djathtën mbante një pistoletë, Romeo Leka u paraqit dje te Krimet e Rënda. Që në fillim të seancës i pandehuri dukej konfuz dhe i shpërqendruar. Prokurori i çështjes ishte duke artikuluar kërkesën për një seancë me dyer të mbyllura kur i pandehuri filloi të fliste pa leje nga kafazi i sallës. “Thuaje o prokuror! Thuaje komplet! Thuaje! çfarë kam bërë, e kam bërë. Se po më dhemb koka tani”, u shpreh i pandehuri në drejtim të prokurorit. Fill pas kësaj, ai u ngrit në këmbë duke pohuar se donte të dilte jashtë për t’u qetësuar. Urdhrit të kryesuesit të seancës, për të mos u larguar nga kafazi i hekurt, i pandehuri iu përgjigj me të njëjtin ton. “Kryetar a gjyqtar, çfarë je ti... Dua të dal 5 minuta se nuk rri dot! Edhe ato kamerat po më duken si me ken raketa”, tha Leka. Pas këtij momenti gjykata pranoi kërkesën e palëve për gjykim me dyer të mbyllura. Burime brenda seancës sqaruan se në vijim i pandehuri kishte folur në gjuhën angleze. “Nuk kisha plumba në armë. Nuk kisha ndërmend të vrisja njeri”, mësohet të jetë shprehur duke folur në gjuhën angleze Romeo Leka. Bëhet e ditur se nga mbrojtësja ligjore e Lekës është pohuar se prej saj dhe klientit pritej mbërritja e një ekzaminimi psikik, të kryer në SHBA për të pandehurin. Sipas mbrojtjes ky raport mjekësor do të faktonte paqëndrueshmërinë mendore të Lekës. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari Gurali Brahimllari ka vendosur lënien e Lekës në qeli. Mësohet se në arsyetimin e vendimit, gjykata urdhëron Prokurorinë për kryerjen e një ekspertimi psikik të të pandehurit Leka.
NGJARJA
Askush nuk kishte dëgjuar më parë për Romeo Lekën, derisa të premten ai grabiti një bankë dhe mori peng një 19 vjeçare. Pasi grabiti me armë një bankë në ambientet e “Hotel Rogner” në 19 mars, Leka u rrethua nga policia pranë “Librit universitar”. Duke mbajtur në duar çantën me 30 milionë lekë të vjedhura në bankë, në këtë zonë 25-vjeçari kapi për krahu një kalimtare të rastit dhe duke kërcënuar me armë në drejtim të saj arriti të “mbajë policinë larg” për 45 minuta. Më pas u neutralizua dhe u prangos.

Avokati: Romeo Leka, pengmarrje e grabitje pa ditur çfarë bënte
TIRANE – Mbrojtja ligjore e Romeo Lekës, i ka parashtruar Prokurorisë së Krimeve të Rënda qëndrimin e saj në lidhje me ngjarjen e ndodhur të premten e javës së kaluar, duke pretenduar se 25-vjeçari nga Lezha nuk është në gjendje të kontrollojë veprimet e tij. “Në një situatë të tillë ka qenë klienti ynë edhe në momentin kur mori peng vajzën 19-vjeçare”, kanë pohuar avokatët e Romeo Lekës, në qëndrimin e tyre zyrtar të bërë me dije për gjykatën dhe Prokurorinë. Ndërkohë dje, avokati i Romeo Lekës, ka pohuar në Tv “Ora News”, se pasi vendosi të marrë në mbrojtje të riun, mori kontakt me familjen e tij në SHBA. Sipas avokatit, të afërmit e 25-vjeçarit i kanë konfirmuar se Romeo Leka vuan nga probleme mendore, pasi është qëlluar me levë në kokë në kohën kur qëndronte në Shtetet e Bashkuara. Avokati Ferdinand Ndoja, tha se klienti i tij ka një plagë në ballë të shkaktuar pikërisht nga goditja me mjet të fortë në kokë. Ndërkohë edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, pavarësisht vendimit për të kryer një ekspertim mendor për 25-vjeçarin mësohet se po e shikon me dyshim sjelljen e tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Prokuroria është vënë në dijeni të një akt-ekspertimi të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shëndetin mendor të Romeo Lekës. Burime nga organi i akuzës, thanë se do t’i kërkojnë autoriteteve amerikane një kopje të rezultateve për të verifikuar gjendjen e të riut, duke mos përjashtuar mundësinë e shtirjes së tij për t’i shpëtuar ndëshkimit për krimet e rënda që ka kryer. E kaluara e Romeo Lekës mbetet ende e pazbardhur ndërsa në adresë të tij rëndojnë akuzat për vjedhje bankash e trafik droge në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për vrasjen e emigrantit Renato Krasniqi mes 8 dhe 9 marsit 2010 në Athinë të Greqisë. Vrasja e 22-vjeçarit nga Kukësi në Athinë, sipas dëshmitarit të këtij krimi, edhe ai emigrant shqiptar në Greqi, është kryer me gjakftohtësi nga Romeo Leka, çka e bën të dyshimtë mundësinë e çrregullimeve mendore të tij në një kohë kur 25-vjeçari arriti të largohej më pas nga vendi i ngjarjes dhe nga Greqia, duke i shpëtuar arrestimit nga forcat e rendit.

BATUTAT
Të njëjtin qëndrim prej njeriu me probleme mendore Romeo Leka ka mbajtur edhe gjatë hetimeve paraprake kur është marrë në pyetje nga Krimet e Rënda në qelitë e policisë së Tiranës. “Zoti i di veprat e mia të mëdha”, u ka thënë ai hetuesve, ndërsa lëvizte vazhdimisht në karrige duke treguar paqëndrueshmëri emocionale.

Fishekët
Autori i grabitjes së bankës dhe pengmarrjes së studentes së Juridikut, pohoi dje para gjykatës se arma e tij, e përdorur të premten e javës që shkoi, nuk ka pasur fishekë. Në këtë mënyrë i riu tregoi dje në gjykatë se e gjitha kjo nuk ka qenë një harresë apo pakujdesi e 25-vjeçarit, por një situatë e paramenduar prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›