Vetëvrasja nga kati i 12, babai i djalit: Në shtator kishim dasmë
Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi
Në familjen e Ali Hasës, në Shingjin të komunës së Gracenit, diku rreth 20 km në veriperëndim të Elbasanit, mbizotëron heshtje varri. Një ditë më parë ata, që të gjithë, kanë përcjellë për në banesën e fundit të fejuarën e djalit më të vogël të shtëpisë, apo atij që shpesh quhet edhe djali i pleqërisë. Kanë përcjellë, mes lotëve, atë fatkeqen që u hodh nga kati i 12 i ndërtesës më të lartë të qytetit të Elbasanit. Një ngjarje që duhet se ka tronditur dhe lënë pa fjalë gjithë zonën, pavarësisht largësisë së shtëpive nga njëra-tjetra, pavarësisht motit që ka ndërruar e sjellë erë pranvere, pavarësisht varfërisë, që prodhon e ngatërron mes këmbëve të jetës toka aspak pjellore, ku janë mbjellë banesat e kësaj zone. I zoti i shtëpisë, Ali Hasa, të pret në bahçe, ku kujdeset për lopën. Dhe shfaq aq shumë hutim, saqë shpesh shkëputet nga biseda e largohet papritur në drejtim të lopës, edhe pse kafsha nuk ka bërë apo është duke marrë udhën për të bërë ndonjë dëmtim. Gjithsesi, edhe pse maja-maja, Ali Hasa nis të flasë.
Zoti Ali, si u lidh Hekurani, djali luaj, me vajzën e Petrit Karait nga fshati Ulm?
Vetë e gjetën njëri-tjetrin. Rreth një vit më parë djali, që është emigrant në Greqi, më tha se donte të fejohej me Almën, vajzën e Petrit Karait, banor i një fshati sipër nesh. Djali më tha se e kishte pëlqyer vetë, se duheshin. Kështu që rreth dy javë më pas, pasi dërguam njerëz të njohur fillimisht te shtëpia e vajzës, ramë dakord për fejesën. Për dasmën nuk u nxituam, pasi mua ndërkohë më vdiq një vëlla. Në shtator të këtij viti vëllai mbushte një vit nga vdekja, kështu që me krushqinë e ardhme e kishim fiksuar dasmën pikërisht në këtë muaj. Nuk kishim lënë një datë të saktë, por kishim përdorur shprehjen “nga shtatori”.
Gjatë kësaj kohe ka pasur ndonjë debat të njohur mes djalit tuaj, Hekuranit dhe të fejuarës, Alma?
Pasi ndodhi ajo që ndodhi e kemi biseduar disa herë, por djali më thotë se edhe ai është i dëshpëruar nga ajo që ka ndodhur. Madje ai ka dy ditë që tregon se ndihet shumë keq, edhe pse ne e kemi mbajtur afër dhe e kemi detyruar të dalë e të mos e mbajë mendjen te ajo që ka ndodhur. Por edhe ne na ka rënë si bombë në shtëpi. E shikon, ndalojnë makinat dhe të njohurit na ngushëllojnë sikur të kishim humbur vajzën tonë. Unë e di se çfarë djali kam dhe jam i bindur se ai nuk ka qenë shkak për atë që ndodhi. Sepse gjithçka ka shkuar mirë deri në ditën e fundit, askush nuk e priste këtë që ndodhi.
Sa kohë ka Hekurani që ka ardhur nga Greqia dhe çfarë planesh kishte për jetën e vet? Pasi të martohej, do sistemohej të jetonte bashkë me ju, do jetonte në Elbasan, apo do iknin të jetonin në Greqi?
Djali ka rreth një muaj që ka ardhur nga Greqia. Ka shkuar tek e fejuara dhe kanë dalë bashkë në Elbasan. Kanë ardhur edhe këtu në shtëpi. Gjithçka ka shkuar mirë. Të paktën ne këtë shikonim dhe na thoshte djali. Ndërsa për jetesën pas martesës ne kishim bërë llogari që Hekurani të jetonte bashkë me ne, me pleqtë, pasi ishte djali i fundit, i pleqërisë, siç e themi ne këtej. Ne kemi këtë shtëpinë pothuaj të re, dykatëshe dhe nuk jemi ngushtë. Ndërsa për dy djemtë e tjerë, që janë më të rritur, ne jemi duke bërë së bashku këto shtëpitë e reja në krah. Pra, planet ishin që çifti i ri të jetonte bashkë me ne, jo në Elbasan dhe jo në Greqi. Kështu kishim rënë dakord që të gjithë.
Si e mësuat vetëvrasjen e të fejuarës së Hekuranit? Si ju kanë pritur te shtëpia e saj?
Unë e dija se Hekurani me të fejuarën ishin në Elbasan. Kishin dalë për ca punë të vogla por edhe për qejfin e tyre. Më pas djali më rrëfeu se si kishin qenë duke pirë kafe të dy dhe se si një moment e fejuara i kishte thënë se do shkonte në banjë. Pastaj kishte ndodhur ajo që ndodhi. Ndërsa gjëmën ma dhanë djemtë dhe unë u nisa menjëherë te krushku. Që t’u rrija pranë në ato momente të vështira. Shkuam të gjithë si familje në varrim. Sepse kemi pasur marrëdhënie të mira. Edhe djalin unë e kam të mirë dhe këtë ata e dinë dhe e pohojnë edhe sot, edhe pas ngjarjes. Por edhe ju mund t’i pyesni, nëse dëshironi.
Ku ndodhet Hekurani? A është e mundur ta kontaktojmë?
Hekurani ka shkuar me të vëllanë në Elbasan. Nuk e di se kur kthehet dhe nuk e di nëse do të kthehet në shtëpi apo do të shkojë nga vjehrri. Ja këto që shkarkoi ai shoferi i furgonit (tregon një thes me pleh kimik dhe ca detergjentë) djemtë nga Elbasani i kanë nisur. Edhe unë isha i mendimit që ai të dilte, të shkonte në Elbasan, që të humbiste pak mendjen, sepse duket se po e përjeton rëndë atë që i ka ndodhur. Sa për kontakt unë, por edhe djemtë, kemi vendosur, që të mos e lëmë Hekuranin të flasë. Sepse ai nuk e ka marrë ende veten. Nuk është një gjendje të flasë.
Policia: Vajza e ka marrë me vete enigmën
Gjatë një bisede telefonike drejtori i Policisë së Elbasanit, Saimir Muça, pohoi se ngjarja e datës 21 mars ka mbetur pa një motiv të qartë dhe se tashmë i ka kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejme. “Por janë një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh që me kalimin e ditëve do të merren në pyetje dhe ka të ngjarë që motivi i vetëvrasjes të ndryshojë”, pohoi drejtuesi lokal i policisë. Sipas të njëjtit, i fejuari në dëshminë e tij nuk ka artikuluar asnjë të dhënë dyshuese që të mund të çojë qoftë në një hipotezë për shkakun e vetëvrasjes së të fejuarës. “Madje ai qante më shumë nga të gjithë e dukej se e përjetonte ngjarjen më rëndë se të tjerët. Kështu që ka shumë të ngjarë që vajza ta ketë marrë me vete shkakun e vetëvrasjes”, shpjegoi drejtori Muça.