Mungon anestezisti, shtatzëna me binjakë rrezikon jetën
MAT – Një grua shtatzënë rrezikoi jetën, pasi në spitalin e Burrelit mungonte dje anestezisti. Teksa ajo dhe të afërmit prisnin të dilnin në jetë dy bebe, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar shumë rreth orës 13.00. Hemorragjia ka bërë që nëna dhe të afërmit e saj, në një pallat në lagjen “Partizani” të Burrelit ta dërgonin atë me shpejtësi në maternitetin e këtij qyteti. Dihej nga mjekët gjinekologë se 35-vjeçarja kishte dy fëmijë të vegjël dhe se ishte në javën e 40-të të shtatzënisë, me dy fëmijë binjakë, një vajzë dhe një djalë. Sapo ajo ka mbërritur në spital mjekët kanë nisur me shpejtësi punën për mjekimin e saj, pasi specialistët konstatuan se gruaja kishte hemorragji për shkak të dëmtimit të placentës dhe se ajo do të kishte lindjen e katërt. Pas konsultës mes tyre mjekët kanë konkluduar se e sëmura duhet t’i nënshtrohej një operacioni në spitalin lokal “Xhavit Mara” të Burrelit. Mirëpo, edhe pse gruaja dergjej mjaft e sëmurë, u tha se mjeku anestezist ndodhej në Peshkopi, i ngarkuar nga drejtoria e spitalit të Burrelit. Mungesa e tij e bënte të pamundurën kryerjen e operacionit në këtë spital. Drejtuesit vendorë të shëndetësisë dhe autoritetet vendore i kërkojnë ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë. Rreth 30 minuta pas lajmërimit në stadiumin “Liri Ballabani” të Burrelit mbërrin një helikopter i këtij dikasteri. Ambulanca e spitalit lokal dhe të afërm të gruas së sëmurë rëndë e transportojnë atë deri tek mjeti fluturues, ndërkohë që të afërmit, sidomos nëna e gruas që kishte pësuar hemorragji nuk i mbante lotët. Mësohet se shtatzëna kishte dy fëmijë të tjerë, mirëpo fatkeqësisht djali i saj dhjetë ditë më parë është aksidentuar rëndë, pasi më 14 mars, pikërisht ditën e verës, teksa luante me shokët dhe ndiznin zjarre, fishekë të ndodhur në shkurre e kanë dëmtuar rëndë në fytyrë dhe trup. Djali ndodhej prej ditësh në spitalin e plastikës në Tiranë, ndërkohë që gjendja shëndetësore nuk i është treguar të ëmës, për të mos e shqetësuar atë. Nuk është hera e parë që në spitalet e Qarkut të Dibrës konstatohet mungesa e mjekëve specialistë. Nëse nuk do të kishte një gatishmëri për të sjellë helikopterin që do të bënte transferimin e nënës drejt Tiranës, jeta e saj do të ishte në rrezik. h.p