E Diel, 1 Nëntor 2026

PS braktis konferencën e kryetarëve,PE: Opozita në Kuvend



BLEDAR HOTI

Socialistët bojkotojnë komisionet parlamentare dhe konferencën e kryetarëve të Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme të konferencës ku do të diskutohej kalendari i punimeve për tre javët e ardhshme. Ndërsa sot pritet të zhvillohen komisionet e tjera parlamentare, ende nuk dihet nëse socialistët do jenë të pranishëm ose jo. Sot parashikohet të zhvillohet mbledhje te komisionet e Ligjeve dhe të Medias. Pas rrëzimit të nismës së tyre për hetimin e zgjedhjeve, socialistët duket se i janë rikthyer bojkotit të Kuvendit. Pas thyerjes zyrtare të bojkotit më 25 shkurt, socialistët morën pjesë vetëm në komisionin parlamentar të Ligjeve, duke anashkaluar strukturat e tjera. Me rrëzimin e nismës së tyre për hetimin e zgjedhjeve, socialistët duket se i janë rikthyer bojkotit të Kuvendit. Opozita në nismën e saj kërkonte që të kishte shumicën në komisionin hetimor, si dhe të kishte të drejtën të hapte kutitë me fletët e votimit. Por një kërkesë e tillë u rrëzua nga ana e maxhorancës, në seancën parlamentare të së premtes së shkuar. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste në mbledhjen e ditës së dielë nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar për tu rikthyer bojkotit të Kuvendit, apo mos pjesëmarrjes në komisionet parlamentare. Vendimi i Grupit ishte rikthimi në protesta.
Maxhoranca tërhiqet nga SHISH
Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, e zhvilluar pa përfaqësuesin e PS-së, ka vendosur që të mos e përfshijë në kalendarin e punimeve votimin në seancën plenare të projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Maxhoranca është tërhequr nga nisma për SHISH, e miratuar dy javë më parë nga dy komisionet parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve. Në kalendarin e kaluar të punimeve ishte parashikuar që votimi i këtij projektligji të realizohej më 18 mars, por qëndrimi i ashpër i përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar bëri që fillimisht Qeveria të pranojë zhvillimin e konsultimeve me përfaqësuesit e misioneve të huaja që janë në Shqipëri. Ambasadorët e SHBA-së, Xhon Uidhers dhe i Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, kërkuan që të mos nxitohet Qeveria në miratimin e këtij drafti, duke kërkuar zhvillimin e konsulencës me organizmat ndërkombëtare. Kështu është vendosur që drafti i miratuar nga këto dy komisionet parlamentare të jetë objekt i shqyrtimit nga ana e misionit EURALIUS. Ndërsa mësohet se konferenca gjithashtu ka përcaktuar axhendën e punimeve të komisioneve dhe nisjen e shqyrtimit të raporteve të paraqitura nga ana e institucioneve të pavarura kushtetuese. Nga periudha mars-prill, në komisionet parlamentare zhvillohet raporti i institucioneve të pavarura, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, Prokuroria, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave, Komisioni i Shërbimit Civil, Autoriteti i Konkurrencës. Konferenca ka përcaktuar që nga dita e sotme, komisioni parlamentar i Ligjeve të nis procesin e shqyrtimit të raporteve vjetore të depozituara nga ana e institucioneve të pavarura. Sot te komisionit i Ligjeve do të shqyrtohet raporti vjetor i komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pikërisht këto tri javë konsiderohen si mjaft të rëndësishme, pasi deputetët do të kenë mundësinë të debatojnë për punën e bërë nga ana e institucioneve të pavarura. Pas shqyrtimit në komisione do të zhvillohej debati në seancën plenare. Opozita ka mundësinë që të debatojë me maxhorancën në lidhje me punën e institucioneve të pavarura, duke nisur pikërisht me punën e bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku socialistët kërkojnë dhe hetim parlamentar për votimet e 28 qershorit.

PE: Zgjidhja e krizës brenda institucioneve

Parlamenti Evropian i bën thirrje klasës politike shqiptare që të zgjidhë të gjitha kontradiktat brenda institucioneve. Një ditë pas vizitës në Tiranë, kreu i delegacionit për vendet e Ballkanit, Eduard Kukan dhe europarlamentarët që e shoqëronin hartuan një deklaratë për shtyp, në të cilën theksojnë se çdo bojkot i Parlamentit pengon vendin në ambicien e saj drejt Bashkimit Evropian. “Ne shpresojmë se tensionet e vazhdueshme politike lidhur me punën e Kuvendit Shqiptar do të zgjidhen së shpejti. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje brenda institucioneve demokratike. Të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë plotësisht funksionale, në mënyrë që të përballen me sfidat e integrimit evropian. Debatet politike duhet të bëhen në bazë të këtyre institucioneve dhe vendimet e tyre duhet të respektohen në përgjithësi. Të gjitha përpjekjet e mundshme në të ardhme, që synojnë bojkotimin e Parlamentit mund t’i pengojnë Shqipërisë ambiciet në rrugën e saj në BE”, thuhet në deklaratën për shtyp. Anëtarët e Parlamentit Evropian përshëndesin përparimin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e standardeve liberalizimin e vizave. “Ne vlerësojmë progresin që ka arritur Shqipëria në përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave” thanë eurodeputetët. “Ne jemi të kënaqur me nivelin e përgatitjes teknike për procesin dhe në rast të një raporti pozitiv nga ekspertët e Komisionit Evropian ne jemi të gatshëm për të mbështetur vendimin për liberalizimin e plotë të vizave për Shqipërinë”, theksuan deputetët, mes tyre edhe koordinatori i grupit më të madh politik në komisionin përgjegjës për çështjen e vizave, Simon Busuttil dhe raportuesja sllovene për liberalizimin e vizave Tania Fajon. Pas diskutimeve me kryetaren e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli në lidhje me krijimin e kuadrit të ri ndërparlamentar, eurodeputetët deklaruan se “ne e përshëndesim gatishmërinë e palës shqiptare për të hapur një epokë të re të dialogut ndërparlamentar dhe mirëpresim bashkëpunimin e të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvendin shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›