E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, shpërblimi pas 20 dhjetorit

• Pensionistët do të mund të marrin shpërblimin e Vitit të Ri 10-ditëshin e fundit të dhjetorit. Sipas burimeve nga Kryeministria, skema e ndarjes së 5 mijë lekëshit do të jetë pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar.Pra, duke nisur që nga data 20 dhjetor 530 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të marrin shpërblimin prej 5 mijë lekësh, shpërblim, i cili u premtua pak ditë më parë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ndarja e parave do të nisë të kryhet sapo qeveria të miratojë vendimin. Pasi të zbardhet vendimi i qeverisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të hartojë një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Sipas këtij grafiku, pensionistët do të marrin pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës. Sipas grafikut të ISSH-së, më 20 dhjetor do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 13:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1 dhe 2 dhjetor. Burime pranë Institutit shprehen, se për ata pensionistë, të cilët nuk do arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, atëherë 5 mijë lekëshin do ta marrin në janar të 2008-ës kur të kenë datën e marrjes së pensionit. Për të mundësuar ndarjen në kohë të parave ISSH-ja pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Postën Shqiptare. Tashmë, pas bërjes publike të këtij shpërblimi, pritet që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të miratohet edhe vendimi që i hap rrugën shpërndarjes së këtij shpërblimi. Sipas të dhënave paraprake, efekti financiar vetëm për shpërblimin e pensionistëve arrin në rreth 30 milionë dollarë. Pas miratimit të vendimit, do të nisë hartimi i listave të emrave dhe përgatitjes së urdhërpagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Për festat e fundvitit nuk do të ketë kategorizime për pensionistët, pasi shpërblimin prej 5 mijë lekësh do ta marrin të gjithë, si pensionistët në fshat, ashtu edhe ata në qytete. Ky është viti i dytë radhazi që pensionistët marrin shpërblim për festat e fundvitit. Në 2006-ën masa e shpërblimit ishte 5 mijë, sa këtë vit. Por në 2004 gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Fatos Nano pensionistët kanë marrë plot 3 500 lekë shpërblim, me rastin e festave të fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›