Vrava si militant
Bashkim HOXHA
“Jeta është bërë kaq e pistë, sa për të hyrë në të, që të mos marrësh ndonjë virus, duhet të vendosësh patjetër perzervativ. Me këtë rast, kam zgjedhur edhe maskën më të përshtatshme për të dalë në rrugë ditën e Karnavaleve. Do të vendos një perzervativ nga koka te këmbët.”
Kështu tha Pierr Paolo P., skulptor, 32 vjeç, i pamartuar dhe me pamje bohemi, pra, asnjëherë me rroba të hekurosura, dhe nuk e dinte se duke thënë këtë frazë, në të njëjtën kohë kishte zgjedhur edhe kostumin e vdekjes së tij.
Pierr Paolo e bëri këtë deklaratë pasi kishte pirë gotën e tretë të konjakut, në një bar të periferisë, në bar “Fantasy”, mes miqve, dhe askush nuk mund të thoshte se cili e tradhtoi dy ditë më vonë, kur ra nën shënjestrën e armës vrastare.
Vdekja e Pierr Paolos erdhi me gëzim, më 2 mars, në orën 11:07.
Ndodhi kështu:
Po binin trombat dhe një daulle përcaktonte ritmin e procesionit, ndërsa turma bërtiste në një konfuzion marramendës, lëshonte klithma sa herë që shfaqej ndonjë figurë interesante. Por, kur u shfaq për herë të parë maska që kishte zgjedhur Pierr Paolo, pra perzervativi i gjatë nga koka te këmbët, u dëgjua një britmë e njëzëshme:
“Oooouuuuu!”
Dhe pastaj u bë heshtje po aq e menjëherëshme; ishte një zë gruaje, që theu këtë heshtje:
“Ikim, fëmijë! Shkojmë në një vend tjetër.”
Edhe këtu nisën diskutimet pro e kundër, dhe pastaj, siç ndodh rëndom që në këtë ditë, pra ditën e Karnavaleve, asgjë nuk merret seriozisht, njerëzit filluan përsëri të argëtohen e të qeshin, madje një numër i madh i tyre u mblodhën rreth figurës së pazakontë që u kishte sjellë në rrugë kjo ditë, duke u rikthyer në harenë për të cilën kishin dalë të festonin.
* * *
Figura e perzervativit nisi të vallëzojë, duke u përkulur herë majtas e herë djathtas, në gjueti të grave, që largoheshin me vrap duke qeshur e bërtitur.
Pastaj erdhi vdekja. Erdhi atëherë kur turma këndonte:
“E’la samba
La samba del carnaval...”
Një burrë i veshur si prostitutë e përqafoi perzervativin dhe, së bashku me Pierr Paolon, filluan të ecnin nën ritmin e këngës. Të tjerët krijuan një radhë të gjatë, duke u vënë njëri pas tjetrit dhe vazhduan të këndonin e të kërcenin përgjatë rrugës së qytetit, drejt bashkisë.
“E’la samba
La samba del carnavale...”
Ishte pikërisht çasti kur putana me gjasme, teksa e përkëdhelte, e ndjeu se tjetri i mbeti pezull dhe, siç dëshmoi më vonë, ishte ndier edhe një klithmë e thellë dhe e butë e Pierr Paolos:
“Oh!”
Pastaj trupi i Pierr Paolos i kishte rënduar me tërë peshën e vet, gati për t’u rrëzuar.
“Ej, budalla, unë jam putanë e ndershme!”
Tjetri i ra mbi gjoksin e mbushur me letra dhe kapuçoni i plastikës i zuri sytë. Putana me gjasme e shtyu fort dhe tjetri u shëmb në rrugë. Në këtë kohë vuri re se duart i qenë bërë me ngjyrë tmerrësisht të kuqe.
“Po ky.... qenka... ky është gjak!”, bërtiti e tmerruar putana me gjasme dhe askush nuk e dëgjoi.
Turma filloi të ecte akoma më përpara, duke kënduar e kërcyer, duke e marrë tërë këtë që shihte si raportet banale mes një zuzari dhe një prostitute, e gjitha kjo e konceptuar në kuadër të festës si një pantomimë seksi, dhe i la të dy të braktisur në fatin e vet.
Prosti me gjasme bërtiti edhe një herë, kësaj radhe fort:
“Po ai ka vdekur!”
Dhe turma qeshi.
Prostituta, që në të vërtetë ishte një burrë i ndershëm e i sinqertë, nëpunës në Bankën Kombëtare të Punës dhe që asnjëherë nuk kishte dalë nga shtëpia pa kravatë e kostum blu, hoqi parruken, zbuloi një kokë tullace dhe bërtiti përsëri:
“Ka vdekur!”
* * *
Vrasësi u paraqit më 7 mars, në orën 19:35, në rajonin nr. 4 të policisë.
Ishte një burrë trupngjeshur, i porsarruajtur, mbushur me aromën e dezinfektantit “Malicia”. Qe veshur në mënyrë ceremoniale, me kontraste bardhë e zi, kishte një kravatë të kuqe në vishnje. Ende mbllaçitej lehtë.
Kërkoi oficerin e rojës dhe tha se kishte ardhur për një njoftim të rëndësishëm. Kishte zbrazur xhepat për të treguar se nuk kishte asgjë më për të fshehur, kishte nxjerrë jashtë astarin e tyre dhe tha:
“Unë kam vrarë një njeri.”
Polici, në pritje të ardhjes së shefit, e pa i menduar dhe, kushedi përse, pati frikë nga qetësia me të cilën i shqiptoi këto fjalë.
“Çfarë?!”
“Është e vërtetë. Atë të degjeneruar e kam vrarë unë ditën e Karnavaleve”, i tha ai policit të turnit dhe policit, që nuk e kishte besuar në fjalët e para.
“Si ka mundësi?!”
“Dreq o punë”, ia ktheu tjetri. “Dikush po thotë se ke vrarë një njeri dhe askush nuk e beson. Provo të thuash se nuk e ke vrarë ti dhe do të shohësh se si do të të torturojnë për ta pranuar me gojën tënde se ke bërë vrasjen e bastardit, që unë e di, askujt nuk mund t’i dhimbset.”
Polici e kishte herën e parë që ndodhej në një situatë të tillë. Më vonë do të thoshte se ishte gati të betohej se nuk dukej njeri që kishte bërë krim. Kur e përshkruante, nënvizonte faktin se ishte i ftohtë, madje krenar. Sipas përvojave që kishte pasur, zakonisht njerëzit pas krimit bien në depresion, janë në një botë tjetër ku bëjnë hesapet me djallin dhe engjëjt, ndërsa ai dukej sikur sapo kthehej nga një ballo. Kaq i lehtë i ishte dukur, kaq flegmatik.
“Po. Dhe dua të bëj një deklaratë para shtypit. Unë nuk jam kriminel. Jam krenar për gjithçka që kam bërë: jam militant.”
“Militant?”
“Po. Jam puritan. Një njeri i ndershëm që nuk mund ta duroj dot jetën e pistë.”
Polici dëshmoi:
“Ky njeri më dukej i çuditshëm. Në fillim nuk e besova. Por detyra ime është të kompletoj të gjitha procedurat që duhen dhe vetëm kaq.”
Polici e kishte intervistën e tij rishtare dhe, papritur, u gjend në faqet e para të gazetave.
“Mendova se mos ishte ndonjë mashtrues. Kishte për të qenë mashtruesi më i çuditshëm e më i rafinuar nëse, ashtu siç erdhi, do të mashtronte duke u hequr si një vrasës”, tha polici. “Por jo.”
Ai kishte vrarë vërtet një njeri dhe, pak çaste më parë, kishte mbllaçitur patatina. Krrap-krrup. Krrap-krrup. Letrën e tyre ngjyra-ngjyra kishte harruar ta hidhte jashtë dhe e kishte lëshuar mbi tavolinë.
* * *
Për të kuptuar se si funksiononte hyrja në “Shoqatën e Puritanëve”, po përshkruaj mënyrën e pranimit të Fiorelos, mikut të Pierr Paolos, i cili nuk e thotë por ka një brengë të madhe, i është mbushur mendja se ka një lidhje të ngushtë mes shoqatës dhe vrsajes së Pierr Paolos... Në këtë shoqatë, Fiorelo kishte hyrë pas rekomandimit të një kolegu, mësues i letërsisë antike, ndërsa ai tjetri pikërisht kur nxënësit kishin krijuar një rrëmujë të tmerrshme. Patën vizatuar në tabelën e zezë një grua me këmbë përpjetë, lakuriq dhe shkopin e palatuar të një flamuri që e çnderonte. Ai i kishte përzënë nxënësit dhe në shkollë qe krijuar një komision, që ata menjëhërë e kishin quajtur komisoioni patriotik, misioni i të cilit ishte për të gjetur autorët e vizatimit fyes. Në shkollën e tyre ndodhnin mjaft gjëra, por kësaj radhe puna kishte shkuar shumë thellë. Flamuri çnderonte Atdheun. Oh, sa shumë vargje kishte tentuar ai t’u mësonte atyre bastardëve për Atdheun, sa shumë dashuri kishte dashur t’u thoshte, por kishte ardhur një kohë që ata nuk donin më as Atin e tyre, jo më At-dheun.
Proçedura e pranimit në “Shoqatën e Puritanëve” kishte qenë e thjeshtë. Antonio A., presidenti, i shpjegoi se qëllimi i shoqatës ishte purifikimi.
“Jeta është bërë shumë e pistë”, tha ai, “imoraliteti është zgjedhur si moto e shoqërisë. Shih qytetin, është mbushur me gjithë ato fjalë të ndyra nëpër mure, madje edhe në këngë. Ju që jeni mësues i gjuhëve antike, kushedi sa herë do të jeni nervozuar nga pamjet që zbulojnë muret dhe ekranet... Logjika që lëviz përpara shoqërinë tonë është bërë amoraliteti total. Deputetë që vjedhin, televizioni që çon shtëpitë publike deri në dhomën e gjumit, shkolla pa respekt për të diturit, një shkollë ku këndohet We don’t need your education, që do të thotë...”
“E di se çfarë do të thotë, është diçka e tmerrshme, repsekti për vlerat është zëvendësuar nga një kulturë sipërfaqësore e kopertinave të revistave.”
“E saktë. Por le të qëndrojmë në aspektin e gjuhës. Ku është gjuha jonë e brishtë, tradicionale, gjuha e përsosur e klasikëve? Ku është poezia, ritmet hyjnore, tingëllimi i fjalëve që kanë përdorur Zotat, ku janë? Ka mbetur vetëm një gjuhë e thatë, e mbushur me fjalë të huaja, e gjitha në një përzierje pa kurrfarë rregulli. Tani flitet kështu: Please, më thuaj ku merda është një snack bar, sepse kam lënë një rendez vouz me bejbi girl për të kaluar një weekend prej pirle. Çfarë gjuhe është kjo?!” (Nga romani “Lakuriq”)
17 Dhjetor 2007