E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korsi të rezervuara në 22 rrugë e kryqëzime

Tiranë
Programi i transportit publik përfshin edhe ndërtimin e parkimeve nëntokësore e me pagesë

Në 22 rrugë dhe 22 kryqëzime kryesore të Tiranës do të krijohen hapësira për korsitë e rezervuara për transportin publik dhe biçikletat. Kjo mendohet se do të krijojë lehtësira në uljen e trafikut në kryeqytet.
“Projekti vjen si hap i parë në drejtim të zbatimit të strategjisë së transportit të qëndrueshëm dhe objektivave të zhvillimit të sektorit në qytetin e Tiranës dhe në vijimësi të projektit të transportit multimodal ose korsive të dedikuara dhe i rritjes së sigurisë rrugore”, shprehen përfaqësuesit e bashkisë së kryeqytetit, lidhur me këto projekte. Sipas tyre, faza e parë parashikon sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve në bazë të parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues. Këtu prioritet do të kenë mjetet e shërbimit publik, lëvizja me biçikleta, por pa harruar atë këmbësore. Kjo duke realizuar vendosjen e korsisë së rezervuar Bus, sistemimin e kalimeve të këmbësorëve në kryqëzime, ndarësit e trafikut, si dhe vendkalimet përgjatë akseve rrugore, duke marrë në konsideratë standardet që kërkon lëvizja e njerëzve me aftësi të kufizuara, si dhe korsitë e lëvizjes me biçikleta. Ky projekt bëhet i mundur të realizohet tani, pohojnë përfaqësuesit bashkiakë, si fazë e dytë e ndërhyrjes në zbatim të masterplanit të transportit, i cili u realizua me mbështetjen e BERZH, e që përfundoi në muajin korrik 2009.
Një tjetër projekt i mbetur për t’u zhvilluar që një vit më parë është edhe ai i qendrës së menaxhimit të kontrollit të trafikut, i financuar me kredi.
Po kështu, në linjën e programit të transportit publik dhe lëvizshmërisë, specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë përcaktuar sërish zbatimin e projektit shumë të diskutuar të ngritjes dhe ndërtimit të dy parkingjeve nëntokësorë, nëpërmjet partneriteteve private-publike, dhënie me koncesion. Gjithashtu ky program përfshin edhe zbatimin e projektit të parkimit publik me pagesë, i cili mendohet se do të lehtësojë qarkullimin në zonat kryesore të qytetit të Tiranës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›