Presidenti Topi pret përfaqësuesin e Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë

Tiranë, 26 janar NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë, përfaqësuesin e Fondacionit
Konrad Adenauer në Shqipëri, Vilibold Frener, zyra e të cilit do të hapet
zyrtarisht edhe në Tiranë javën që vjen.
Kreu i shtetit shqiptar, vlerësoi marrëdhëniet tradicionale dypalëshe mes
Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke nënvizuar faktin që tashmë ka nevojë të
zgjerohen e të thellohen edhe marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare
mes dy vendeve tona.
Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmën
e vazhdueshme të dhënë nga shteti gjerman gjatë viteve të tranzicionit
demokratik në vendin tonë dhe vlerësoi hapjen e një Fondacioni të themeluar
qysh më 1956, që mban emrin e kancelarit të parë gjerman, edhe në Shqipëri, gjë
që do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe në fusha të
ndryshme si politika, kultura, shkenca, arsimi, etj.
Nga ana e tij, përfaqësuesi zyrtar, Vilibold Frener bëri një ekspoze të shkurtër
të punës dhe aktivitetit të Fondacionit Konrad Adenauer.
Frener vuri në dukje dhe parashtroi disa nga
objektivat e aktivitetit të Fondacionit në Shqipëri që do të shtrihet në
forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-gjermane, në fushën e
politikës dhe rritjes së kulturës demokratike, në bashkëpunimin
ekonomiko-tregtar, në shkëmbimet kulturore, arsimore, etj.
Gjithashtu përfaqësuesi zyrtar i Fondacionit Konrad Adenauer i shprehu
Presidentit Topi mbështetjen e plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë në
Bashkimin Evropian si dhe theksoi faktin që hyrja e vendit tonë në gjirin e
familjes së madhe evropiane nuk ka asnjë dyshim, por është thjesht çështje kohe.
k.k/NOA