Koshtunica: OKB, NATO nxitën dhunën
• Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka akuzuar dje paqeruajtësit e NATO-s dhe forcat policore të Kombeve të Bashkuara se kanë qenë shkaktare të trazirave të dhunshme të 17 marsit duke përdorur “snajper dhe municione të ndaluar” për të shpërndarë protestat e serbëve kundër pavarësisë.“Shkaktare ishin forcat ndërkombëtare” ka akuzuar ai në të përditshmen “Vecernje Novosti”, duke iu referuar dhunës së shpërthyer nga serbët e Kosovës në Mitrovicë të hënën e kaluar në të cilën një paqeruajtës ukrainas humbi jetën. Koshtunica nuk ka reshtur duke propozuar “argumentet” e tij mbi këtë deklaratë. “Sigurisht, situata në Kosovë është shumë e vështirë dhe në këtë situatë ka njerëz të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm. Beteja vazhdon për të gjithë Kosovën”, tha Koshtunica duke hedhur poshtë edhe zërat mbi planet serbe për ndarjen e Kosovës. “Kur fuqitë që mbështesin pavarësinë e Kosovës nga Serbia e kuptuan se Beogradi nuk do të njohë kurrë këtë zgjidhje, atëherë ata ushtruan forcën, një forcë brutale, snajper dhe municione të ndalura”, shtoi kreu serb në largim. Policia e OKB-së dhe trupat e NATO-s hynë në gjykatën ndërkombëtare të hënën e kaluar, e cila ishte e rrëmbyer nga serbët e Mitrovicës, të nxitur nga strukturat paralele të Beogradit. Në këtë proces ishin të angazhuar edhe zyrtarë nga Ministria e Brendshme serbe dhe forcat ndërkombëtare pohojnë se kanë prova të paevitueshme se në këtë mes ka qenë dora e zyrtarëve serbë. Si OKB ashtu edhe NATO deklaruan në shtyp se dhuna ishte shkaktuar nga Beogradi. Sipas dëshmive të ushtarëve ndërkombëtarë, serbët kanë hedhur granata dhe koktej molotovësh në drejtim të tyre dhe kanë qëlluar me armë automatike me një synim të qartë për të vrarë. Sipas autoriteteve nga Beogradi një nga protestuesit është në koma pasi u qëllua nga një snajper i NATO-s. Akuzat e Koshtunicës për municione të ndaluara i referohen plumbave plastikë.Deklarata e ambasadorit ruSSiç pritej Rusia është në një qëndrim me Serbinë edhe për këtë çështje. Aleksander Aleksejev i ka cilësuar veprimet e UNMIK-ut dhe KFOR-it në Mitrovicë ditën e hënë si provokime. Ambasadori rus shtoi se Moska kërkon një hetim dhe raport të detajuar për të dalë në përfundimin se kush e kishte urdhëruar këtë operacion dhe sa i ligjshëm ishte ai. “Eshtë e nevojshme të qartësojmë se kush dhe mbi cilat baza e ka marrë vendimin për të përdorur forcë në Mitrovicë. Emrat e njerëzve që kanë marrë këtë vendim janë të domosdoshme, dhe jo thjesht formulime, madje ne kërkojmë edhe një shqyrtim të detajuar se sa e ligjshme ka qenë kjo ndërhyrje dhe çfarë zgjidhje nevojitet tashmë”, ka deklaruar ai për agjencinë e lajmeve “Tanjug”. Duke mbrojtur serbët për aktet e dhunshme që morën jetën e një pjesëtari të paqeruajtësve ukrainas në kuadër të KFOR-it, Aleksejev theksoi se armët dhe mjetet e përdorura në operacionin UNMIK/KFOR më 17 mars ishin ilegale dhe një përpjekje e qartë e forcave ndërkombëtare për të tejkaluar mandatin e tyre. “Mendoj se ky ishte një sinjal për serbët e Kosovës, Beogradin dhe të gjithë ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës se ‘Do të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme, pavarësisht asaj që thuhet në ligjet ndërkombëtare”, tha Aleksejev. Sa për zgjedhjet ai shtoi se kërkon që sa më shpejt të formohet një qeveri me maxhoritet të dukshëm.Në pritjetë votimitKoshtunica tashmë është një kryeministër në largim që kur ai dha dorëheqjen pas përplasjeve brenda kabinetit mes ministrave properëndimorë të partisë së Tadiç dhe atyre nacionalistë të Koshtunicës mbi anëtarësimin në BE dhe mënyrat që duhet të përdorte qeveria për ftesën e Unionit Evropian. Koshtunica kishte një politikë të ashpër mbi këtë çështje duke kërkuar refuzimin e Serbisë për të krijuar lidhje më të afërta me BE-në derisa vendet e unionit të hidhnin poshtë njohjen për pavarësinë e Kosovës. Ai tha se kjo do të ishte çështja kryesore në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 11 majit, me rivalët demokratë pro perëndimorë të udhëhequr nga Presidenti Boris Tadiç. Koshtunica shtoi se nuk do të pranojë shantazhet dhe se ishte shumë i shqetësuar për serbët pro-evropianë për të cilët tha se ishin në gjendje t’i jepnin Serbisë një qeveri gati për të lënë mënjanë sektorin e mbrojtjes dhe integritetin territorial të vendit. “Le të bëhemi pjesë e BE-së dhe më pas të luftojmë për Kosovën”, tha ai. Vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur Kosovën dhe listës së tyre po i shtohen edhe shumë vende të tjera. Ndërsa Rusia e konsideron shpalljen e pavarësisë, por edhe njohjen e saj një akt ilegal.