Pranga lazaratasit, për trafik klandestinësh
• GJIROKASTËR - Arrestohet dy javë pasi i kishte shpëtuar policisë nga ndjekja gjatë kohës kur tentonte të kalonte disa klandestinëve matanë vijës së gjelbër kufitare.Burime policore kanë bërë të ditur se mbrëmjen e së shtunës, uniformat blu kanë ndaluar shtetasin Bako Buzheri, 23 vjeç, nga Lazarati. Organi i prokurorisë së Gjirokastrës, tri ditë më parë, pati lëshuar urdhër-arrestin për Buzherin pas vendimit të dhënë nga ana e shkallës së parë të gjyqësorit në datën 15 të këtij muaji, ku caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Ky vendim është marrë në mungesë për të riun lazaratas. Vepra penale që rëndon mbi 23-vjeçarin është “dhënie ndihme për kalim ilegal të kufirit me qëllime përfitimi në bashkëpunim”. Buzheri, i dënuar më parë me gjashtë muaj burg pasi ushtroi dhunë mbi një punonjës policie, ishte shpallur person në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës qysh në datën 9 të këtij muaji. Në këtë datë lazaratasi së bashku me tre të rinj nga Lushnja dhe Gjirokastra, kanë ndihmuar shtatë shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit për të kaluar drejt Greqisë ilegalisht kundrejt 2 mijë eurove për secilin. Ndërkohë që tre bashkëpunëtorët e Buzherit u kapën nga policia në brezin kufitar, ai mundi të shpëtonte nga kapja për shkak të terrenit të thyer dhe errësirës. p.n.