Kunati, rrëfim për vrasjen e Mujës
• Pasi ka kaluar momentin e shokut psikik në të cilin ndodhej që prej përleshjes së përfunduar me vdekjen e Ardian Mujës, Fatjon Bushati, 23 vjeç, është rrëfyer para uniformave blu, duke pranuar autorësinë e vrasjes.SHKODER/ RITVAN DIBRA Kunati i 30-vjeçarit, i ekzekutuar pas një grindjeje në shkallët e pallatit ku jeton, ka treguar rrjedhën e ngjarjes, ku dhe e motra u plagos rëndë. Pohimet e tij janë mbështetur edhe nga dëshmitë e nënës dhe të babait, të cilët ndodheshin në banesë në ato çaste. Burime nga policia e Shkodrës pohuan se, Bushati ka treguar që takimi me të fejuarin e motrës ka qenë i rastësishëm në shkallët e pallatit. Ai i kishte kërkuar që të mos vinte në shtëpinë e tyre, e pikërisht ky fakt ka provokuar ngjarjen. Nga të dhënat e familjes Muja, kishte qenë i martuar e me fëmijë dhe familja e vajzës së re nuk e ka pranuar lidhjen e tyre në fejesë. Megjithë kundërshtitë, 30-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e 22-vjeçares, ndërsa me vete mbante një pistoletë. Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes, e bazuar kjo edhe në dëshmitë e Fatjonit, si dhe të afërmve të tij, mësohet që konflikti ka nisur fare rastësisht. Ardian Muja bashkë me të fejuarën e tij po shkonin te shtëpia e prindërve të vajzës për të marrë disa rroba të saj. Kur janë hasur me Fatjonin në shkallë, ky ka nisur të debatojë duke u thënë se i kishte paralajmëruar të mos i shqetësonin në shtëpi. Në debat e sipër Muja ka nxjerrë armën nga brezi, pistoletë TT, por mbi të është hedhur kunati. Pas përleshjes me trup arma është shkrehur 6 herë, plumbat e së cilës kanë lënë të vdekur 30-vjeçarin, ndërsa vajza është plagosur rëndë. Nëna e Fatjonit, që në ato momente ndodhej në shtëpi, ishte duke përgatitur darkën dhe sapo ka dëgjuar të shtënat e para ajo ka rendur drejt derës së shtëpisë ashtu siç ishte me thikën e zarzavateve në dorë. Kur ka parë të bijën e dhëndrin në gjak i ka rënë thika nga dora. Nga hetimet e deritanishme, akuza ndaj Bushatit është ajo e vrasjes për vetëmbrojtje, ndërsa pritet dëshmia e së motrës për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Adoleshentja u vra nga vëllaiTROPOJE – Vëllai 16-vjeçar vrau motrën nga pakujdesia. Ky është varianti zyrtar i dhënë dje nga policia e Tropojës për vdekjen e 15-vjeçares L.Dedmarku, nga fshati Gir. Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës dhe nga të dhënat e para u dyshua se adoleshentja i kishte dhënë fund jetës. Por nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se ishte qëlluar nga i vëllai, vetëm 16 vjeç. Ky i fundit ka qenë duke luajtur me armën e zjarrit kur plumbi ka goditur të motrën. Policia ka bërë arrestimin e tij me akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe armëmbajtjes pa leje. j.h