E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e vitit 1992 zbulohet autori i krimit

• TIRANE - Zbulohet autori i vrasjes së ndodhur në Tiranë në vitin 1992, shpallet në kërkim autori i dyshuar. Lajmi është bërë i ditur për mediat dje nga policia e kryeqytetit, sipas së cilës Shpëtim Dapi, në atë kohë vetëm 16 vjeç, ishte qëlluar me armë të ftohtë thikë në bark disa herë dhe më pas ka vdekur. Si autor të krimit policia ka shpallur në kërkim Elvin Osmanajn, 31 vjeç nga Tirana. Sipas policisë vrasja që nga ajo kohë kishte mbetur e pazbuluar dhe pa autor, hetuesit nuk kishin mundur të mblidhnin prova të mjaftueshme për përfshirjen e Osmanajt në krimin e vrasjes ndaj Shpëtim Dapit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në rrugën “Thanas Ziko” më 14 maj të vitit 1992, ku viktima dhe autori të dy bashkëmoshatarë janë grindur për motive banale, sipas policisë. Të dy adoleshentët kanë nisur të grinden në rrugë dhe më pas të shahen dhe të goditen me grushte. Më pas, sipas hetimit të kryer, 31-vjeçari Osmanaj, në atë kohë 16-vjeçar, ka marrë një thikë dhe i ka prerë rrugën bashkëmoshatarit të tij. Nga plagët e marra nga thika dhe nga goditjet e tij, Osmanaj ka mbërritur në spital vetëm formalisht, pasi ai kishte qenë i pashpresë. Sipas policisë, pas këqyrjes së trupit, viktima kishte marrë disa thika në trup, që i kishin shkaktuar plagë dhe humbje të konsiderueshme gjaku që kish rrjedhur prej tyre. Ndërkaq edhe pse policia kishte kryer një seri veprimesh hetimore në atë kohë, dosja për motive ende të panjohura ishte pezulluar. Që prej asaj kohe veprimet hetimore të kryera për llogari të zbulimit të kësaj dosjeje thuajse kishin qenë të pallogaritshme. Rreth tre muaj më parë, oficerët e hetimit të vrasjeve kanë rishikuar dosjen e pluhurosur të vrasjes së Shpëtim Dapit. Fillimisht policia ka marrë deklarimet e të afërmve të adoleshentit të vrarë me thikë. Gjithashtu janë rimarrë deklarimet e dëshmitarëve të vendit të ngjarjes, si dhe dëshmitarë të tjerë që sipas policisë kanë pasur dijeni mbi ngjarjen. Nga të gjitha veprimet hetimore, policia ka dokumentuar dhe identifikuar si autor të vrasjes së adoleshentit Dapi, bashkëmoshatarin e tij, Elvin Osmanaj. Ai është shpallur menjëherë në kërkim, ndërsa nga verifikimet e kryera është mësuar se ai nuk ndodhej në Shqipëri. Policia ka referuar zbulimin e vrasjes në Prokurorinë e Tiranës. Po ashtu i janë kaluar procedurat e kërkimit Zyrës së Interpolit në Policinë e Shtetit, për të kryer edhe kërkimin ndërkombëtar të të dyshuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›