Kosor: Mbështetim tërësinë territoriale të Kosovës
Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor ka deklaruar sot në Prishtinë se Kroacia mbështet tërësinë territoriale të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi, Kosor tha se politika e jashtme e Kroacisë do të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Ajo tha se Kroacia mbështet deklaratat e kancelares Angela Merkel të bëra në Beograd në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës.
Dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve, tha Kosor, duke ofruar mbështetjen e Zagrebit në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
“Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet janë çështje të cilat Kroacia i mbështet në vazhdimësi” tha kryeministrja kroate.
Ajo deklaroi gjithashtu se populli kroat dhe ai i Kosovës kanë miqësi të vjetër, por kjo miqësi ishte ripërtrirë edhe gjatë luftës së fundit kundër regjimit të Sllobodan Milosheviçit.
Kosor u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen për përmirësimin e jetesës së komunitetit kroat në Kosovë, për të cilët ajo tha se ka marrë edhe premtimet e qeverisë se do të ketë vendime konkrete.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka siguruar kryeministren Kosor se qeveria e Kosovës do të rrisë angazhimin për bashkëpunim me Kroacinë.
Ndërkaq në aspektet e brendshme, ai theksoi edhe njëhërë se në Kosovë do të ketë shtrirje të autoritetit, përfshi edhe pjesën veriore, ndërsa i paralajmëroi strukturat paralele se i pret ballafaqimi me ligjin dhe drejtësinë.
Ndërkohë kryeministri Kosor dhe delegacioni që ajo përfaqëson pritet të takohen edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, komandantin e KFOR-it, Erhard Byhler, komunitetin e biznesit, ushtarët kroat në kuadër të KFOR-it si dhe komunitetin kroat që jeton në qytezën e Janjevës.