Tahiri-Buhler: Në fokus situata politike

Situata politike në vend ishte tema kryesore në të cilën është diskutuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler. Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lart angazhimin e KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë vendin si dhe bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it për konsolidimin e sovranitetit dhe ligjit në veri të vendit. Në takim u vlerësua lartë angazhimi i Qeverisë për vënien e kontrollit në kufirin verior dhe pikat doganore 1 dhe 31, duke vlerësuar se është e drejtë sovrane e qeverisë për të vënë kontroll dhe rend në tërë territorin, duke rritur sigurinë për qytetarët dhe eliminuar strukturat paralele, veprimtaritë kriminale dhe kontrabanduese në veri të vendit.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it vlerësoi të stabilizuar situatën e përgjithshme në Kosovë, duke theksuar se KFOR-i angazhohet fuqishëm për sigurinë e vendit.
Në takim po ashtu u theksua rëndësia e përballjes me drejtësinë e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe rendin në zhvillimet e periudhës së fundit, përfshirë zbulimin e vrasësve të policit të Kosovës, Enver Zymberi.