E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova - Të folurit me një zë!

06/03/2005  Ne flasim për Kosovën me ndërgjegjen e pastër të njerëzve që e duan vendin e vet, pa e ndjerë nevojën t’i sulen askujt tjetër, kurse ata flasin me ndjenjat e përziera të nostalgjisë për kohën e shkuar që s’kthen më dhe me peshën e përhershme të fajit për krimet e bëra.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha këtë fundjavë se në “Serbi të gjithë flasin me një zë për Kosovën”. “Nuk ka qeveri serbe që do ta pranonte pavarësinë e Kosovës”, pohoi ai katergorikisht. Asgjë e papritur!

1999 - Serbia s’pranoi të dilte me “f’tyrë” nga Kosova

Kur terrori serb kundër shqiptarëve të Kosovës kishte arritur shkallën e një spastrimi të hapur etnik, bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ia tërhoqi vërejtjen qeverisë së atëhershme serbe se do të ndëshkohej me sulme ajrore, nëse nuk do ta ndalte menjëherë fushatën e saj të çmendur. Duke qenë kryekreje nën diktatin e Sllobodan Millosheviçit, i cili i kishte drejtuar spastrime etnike edhe në vende të tjera (Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë), qeveria e atëhershme serbe refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen për paqe (Rambuje, 1999). Pasojat dihen; paramilitarët dhe forcat e rregullta policore e ushtarake serbe vazhduan gjenocidin në Kosovë, duke ndjekur politikin e tokës së djegur, ndërsa NATO-ja ndërhyri ushtarakisht dhe i detyroi serbët të nënshkruajnë gjunjëzimin e të tërhiqen me teshë e koteshë, me laçkë e plaçkë nga Kosova.

Në mars të vitit 1999, serbët refuzuan kategorkisht t’i jepnin shancin e fundit zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës, megjithëse qysh atëherë ishin zhytur thellë në krime. Duke e shpërdoruar ofertën e fundit të bashkësisë ndërkombëtare për të shpëtuar diqysh “më f’tyrë” në Kosovë, Serbia millosheviçiane përfundimisht e dogji çfarëdo argumenti për “sovranitet shtetëror” në Kosovë. Rrjedhimisht, dërdëllisjet patetike-patriotike të liderëve serbë, Tadiç e Koshtunica, të ndezura me tur të papërmbajtur këto kohët e fundit, s’janë veçse thirravaje dëshpëruese të njerëzve me pasione të sëmura, të cilët nuk gjejnë dot forcë për ta pranuar faktin se në Kosovë sovran është tjetërkush dhe se koha e dominimit hegjemonist të obskurantizmit serb ka perënduar njëherë e mirë.

Pavarësia - udha e zhbllokimit

Kallash-Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtuncia, bashkë me tadiçët e sojsorollopin e tyre, në vend se të flasin me një zë kundër Kosovës, është mirë të trokasin në ndërgjegjen e vet dhe t’u kërkojnë falje shqiptarëve për krimet që kanë bërë serbët në Kosovë. Madje, serbët duhet të kërkojnë falje jo vetëm për krimet e bëra gjatë luftës së fundit, por për të gjitha krimet që janë bërë gjatë pushtimit serb të Kosovës, 1913-1999. Vetëm duke e bërë këtë, ata do të mund të rezononin me arsye të shëndoshë për Kosovën, si për një vend fqinj, me të cilin do të duhej të mbanin marrëdhënie stabile. Por, sa kohë që qeveritarët serbë, qoftë kallash-politikan si Koshtunica, qoftë nacionalistë “të moderuar” si Tadiçi, nuk do ta kenë kurajon e ballafaqimit me të vërtetën, sa kohë që do të përpiqen ta mohojnë faktin se në Kosovë ata kanë kryer krime të egra, një zgjidhje diplomatike dypalëshe mes shqiptarëve dhe serbëve do të jetë e pamundur. Kësodore, varianti më i parapëlqyer, më pragmatiku dhe më i realizueshmi mbetet ai që e kanë proklamuar fuqishëm institucionet legjitime të Kosovës (Presidenca, Parlamenti, Qeveria...) - njohja formale e pavarësisë së Kosovës. Ky akt, pa dyshim, jo vetëm që do t’i shuante ëndrrat serbe për një rikthim “triumfal” në Kosovë, me tankse e me kama, por do t’u hapte udhë edhe zhvillimeve të tjera pozitive në rajon, duke e zhbllokuar integrimin e dëshiruar të kësaj pjese të Evropës Juglindore, apo të Ballkanit Perëndimor si po i thonë, në truallin e saj tradicional gjeografik, politik e kulturor - në Bashkimin Evropian. Për më tepër, po ky Bashkim Evropian është projektuar si i tillë, pikërisht duke u nisur nga ideja e njohjes së vlerave dhe traditave, që dalin nga trashëgimia e popujve të ndryshëm, të cilët e kanë krijuar identitetin e vet të veçantë, duke jetuar nën të njëjtin kulm, nën kulmin e qytetërimit perëndimor. Kosova, lozë e Dardanisë Antike, ka qenë dhe mbetet pjesë e kësaj kulture dhe e këtij identiteti.

Sa u përket fqinjëve veriorë, të ardhur këtu në shekujt e vonë kushedisekah me zhurmë e me batërima stepash, vetëm mund t’ua rikujtomë se edhe ne në Kosovë, pavarësisht nga bindjet dhe dallimet politike, të gjithë flasim me një zë: Kosova do të jetë e pavarur dhe e integruar në strukturat evroatlantike, e gatshme që t’i marrë mbi vete edhe obligimet dhe përgjëgjësitë e kërkuara.

Serbët folkan me një zë për Kosovën. Mirë boll! Edhe ne flasim me një zë për Kosovën; ekziston, vetëm se, një dallim substancial: ne flasim për vendin tonë, për të ardhmen e tij, ndërsa ata flasin për një vend të huaj, të cilin e kanë mbajtur mëse një shekull të pushtuar me metodat më çnjerëzore. Ne flasim për Kosovën me ndërgjegjen e pastër të njerëzve që e duan vendin e vet, pa e ndjerë nevojën t’i sulen askujt tjetër, kurse ata flasin me ndjenjat e përziera të nostalgjisë për kohën e shkuar që s’kthen më dhe me peshën e përhershme të fajit për krimet e bëra, i cili të vret njësoj si e pranove, si s’e pranove që e ke kryer.

Është çështje e tyre a duan ta lehtësojnë shpirtin!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›