E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paralajmërimi i një vizite të dështuar

06/03/2005  Pse u injorua skandali i Kryeministrit maqedonas, kur u përpoq që të na e imponojë Beogradin si bashkëbisedues për kufijtë e Kosovës, dhe pse nuk u përmend fakti tjetër që në qendër të Prishtinës, në tabelën e Zyrës së Maqedonisë, nuk ishte mbishkrimi në gjuhën shqipe, që është obligim?!

1.Presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, në stilin e burrështetasit të dinjitetshëm, bëri mirë që nuk e pranoi në takim Kryeministrin e Maqedonisë, Buçkovskin. Arsyet për këtë ishin të shumta dhe gati të ditura publikisht, mirëpo që nuk ishte nevoja të thuheshin nga Zyra e Presidencës. Gjuha diplomatike e refuzimit, çuditërisht, nuk u komentua nga mediat, thuajse e prisnin me padurim një takim që kishte shumë dredhi brenda. Kryeministri i Maqedonisë, që në fillim, erdhi me një bagazh të papranueshëm politik. Në pakon e propozimeve kishte gjëra, të cilat dihej fare mirë se nuk do të duhej të pranoheshin nga zyrtarët tanë. Megjithëse vizita e tij ishte paralajmëruar kohë më parë, megjithëse pritej që maqedonasi të jetë shumë më fleksibil e më pak ta ketë kryeneçësinë e pararendësve arrogantë, ai në vend se të mësojë nga politika dështake e Shkupit me shqiptarët e Kosovës, në Prishtinë u soll sikur ne ia kemi shumë nevojën. Para se të vizitonte Prishtinën, nxitoi të vizitojë Beogradin. Dhe që të jetë ironia më e madhe, dukej sikur kërkonte ta ketë bekimin e Beogradit për gjërat që do t’i thoshte në Kosovë dhe për propozimet që do t’i shtronte para përfaqësuesve më të lartë të Prishtinës. Natyrisht, para dhjetëra ditësh, ai nuk la pa lëvizur gurë që për kufijtë e Kosovës të bisedonte herë me Kryeministrin e Shqipërisë, herë me zyrtarët e Serbisë, duke u shtirë se kinse Prishtina është faktor i parëndësishëm. Kur megjithatë dikush ia bëri me dije se mund të bredhë natë e ditë në relacionin Beograd-Podgoricë-Tiranë, por, prapëseprapë, duhet të zbresë në Prishtinë, në mënyrë që të ballafaqohet me ata, të cilëve synon t’u kërkojë koncesione, apo t’ua marrë territoret, erdhi, por nuk jam i sigurt se kreu punë. E para, kompleksi maqedonas ndaj Serbisë është gjë e ditur që nga e kaluara në ish-Jugosllavi. Ky kompleks vazhdon me një njëjtin intensitet. E dyta, zyrtarët maqedonas as sot nuk duan ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë, ku Beogradi mund të bëjë shantazhe, por nuk mund të vendosë për asgjë, pra as për kufi. E treta, në çastin kur shtrohet në tryezën e bisedimeve hija e Beogradit a propozimet e tyre, është e ditur se fjala ngec në fyt, bisedimet kanë dështuar. Me një fjalë, duket se Buçkovski vetëm bëri vizitë turistike me shumë elemente të demagogjisë para faktorit ndërkombëtar, të cilit deshi t’i dëshmojë se ai ishte i gatshëm të bisedojë, por në Kosovë nuk e pritën si duhet.

2. Mbase nga presioni i faktorit ndërkombëtar, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ofroi mikpritje Buçkovskit, u takua me të, madje dhanë edhe deklarata para mediave. Fatkeqësisht, në këtë mikpritje pati edhe lëshime zyrtare nga Kryeministri ynë, të cilat pavarësisht nga qëllimi i mirë për të qenë sa më kooperativë me fqinjët dhe shtensionues me raportet ndërkombëtare, nuk tingëllojnë mirë para opinionit tonë. Nga Kryeministri maqedonas as që është pritur ndryshe. Maqedonasi i kompleksuar me ndjenjën e inferioritetit ndaj serbit, vështirë se mund të sillet ndryshe. Kështu, gjatë hapjes së Zyrës ekonomike a përfaqësisë së Maqedonisë, duket se askujt nuk i ra në sy se tabela e Zyrës ishte shkruar vetëm në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze, ndërsa dihet fare mire se gjuhë zyrtare në Kosovë është gjuha shqipe dhe gjuha angleze. Pra, mysafiri e hedh një bombë të shpërfilljes ndaj vendit mikpritës, që ia dha mundësinë e hapjes së Zyrës ekonomiko-diplomatike, e injoron vendin, me të cilin synon të bëjë marrëdhënie të mira fqinjësore, duke u sjellë në mënyrë arrogante e kolonialiste, edhe pse Maqedonia gati gjatë gjithë historisë së re, koloni ishte. Buçkovski ka obligim që shqipen ta përdorë si gjuhë zyrtare edhe në Maqedoni, sepse gati gjysmën e popullatës e ka shqiptare, ndërsa në Kosovë është dashur ta detyrojmë ne, ose t’i themi se me ata që nuk i përfillë nuk mund të bashkëpunosh. Mediat tona, që e bëjnë mizën buall, këtë skandal e injoruan, sepse duket se edhe ata e kanë kompleksin ndaj serbit e maqedonasit. Ndryshe si të shpjegohet mospërmendja e këtij skandali. Ndërkaq, këshilltarët e Kryeministrit është dashur t’ia sugjerojnë shefit të tyre këtë lëshim, ndryshe çfarë pune bëjnë ata?

3. Kryeadministratori i Kosovës, Peterseni, edhe pse e priti maqedonasin e frustruar, megjithatë sipas mediave, ia bëri me dije se për çështjen e kufijve nuk vendos Beogradi. Pse e priti, çfarë biseduan dhe si e përcolli, me miza vitheve apo me fjalë të ëmbla, është vështirë të dihet. Natyrisht nga Peterseni nuk mund të kërkojmë që ai të mbrojë barazinë e gjuhës shqipe para të huajve. Për këtë gjë duhet të këmbëngulim ne. Por nga Peterseni duhet të kërkojmë që të mos lejojë zhvatjen e territoreve të Kosovës, sepse përgjegjësia bie mbi të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›