E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, BE ka frikë nga paanësia, sfida më e madhe

Përfaqësues të drejtësisë në misionin e Bashkimit Evropian, EULEX, kanë nisur takimet e drejtpërdrejta me përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë, pasi e shohin këtë si problemin më të madh të shtetit të ri. 

 Gjyqtarët dhe prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, thonë se sfidat më të mëdha me të cilat pritet të ballafaqohen në Kosovë, do të jenë krijimi i një sistemi unik të drejtësisë, si dhe garantimi i proceseve të drejta gjyqësore. Shefi i drejtësisë në EULEX, Albero Perduca, theksoi se sfida më e madhe për punën e ardhshme të misionit EULEX në drejtësi do të jetë krijimi i një sistemi unik të drejtësisë, si dhe garantimi i një gjykimi të drejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. "Sfidat më të mëdha në drejtësinë e Kosovës kanë të bëjnë me atë, që të sigurohemi se gjykimet do të jenë të proceduara në mënyrë korrekte nga gjykatës të paanshëm dhe të pavarur, me respektim të plotë së të drejtave të palëve dhe me mbrojtjen e viktimave. Ky gjykim i drejtë duhet t'i garantohet secilit qytetar në Kosovë, gjë të cilën e përcakton edhe mandati ynë, pra, krijimin e një sistemi multietnik të drejtësisë", tha Perduca. Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi, tha se puna e përbashkët ndërmjet drejtësisë- EULEX-it dhe ministrisë që ajo udhëheq, duhet të çojë në krijimin e një sistemi unik të drejtësisë, duke shmangur paralelizmat e mundshme, si ato të krijuara nga serbët e Kosovës të nxitur nga Beogradi. "Ata tani veç janë shumica në Kosovë, janë duke u familjarizuar me lëndët, mirëpo për të filluar punën e tyre efektive, ju e dini se edhe formalisht EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe ne jemi të gatshëm, edhe vendorët, edhe ndërkombëtarët, që të angazhohemi për një sistem unik gjyqësor", tha Kelmendi. Edhe për BE, shtrirja e autoritetit në veri vazhdon të jetë problemi më i madh, duke pasur parasysh kundërshtimin e ashpër dhe mohimin e serbëve ndaj këtyre institucioneve. Misioni EULEX pritet që deri në fund të këtij viti të angazhojë në Kosovë rreth 2000 gjyqtarë, prokurorë e oficerë doganash, të cilët do të operojnë në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian, i cili është vlerësuar të jetë misioni më i madh i këtij mekanizmi deri më tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›