Nis shpërndarja e certifikatave të printuara, peng i energjisë
SHKODER - Zyra e Gjendjes Civile në Bashkinë e Shkodrës ka shënuar dje ditën e parë të shpërndarjes së certifikatave elektronike. Ndërkohë që ka nisur përgatitja në mënyrë elektronike e certifikatave, duket se ky proces është krejtësisht i varur nga energjia elektrike. Kjo, pasi në rast se mungon energjia elektrike do të ndërpritet totalisht dhënia e certifikatave për të interesuarit. Prezantimi i fillimit të procesit u bë dje nga prefekti i Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu dhe nënkryetari i Bashkisë, Ridvan Troshani. "Tashmë ne kemi realizuar atë çfarë kemi premtuar; shpërndarjen e certifikatave elektronike. Kjo i hap rrugë fazës së mëtejshme, që ka të bëjë me rikonstruksionin e ambienteve të pritjes dhe të informacionit për publikun, si dhe instalimin e sistemit të sigurisë me qëllim që t'i paraprihet projektit të prodhimit të kartave të identitetit", është shprehur nënkryetari Troshani. Sipas tij, faza e tretë e projektit të certifikatave elektronike, së bashku me sistemin e saktë të adresave parashikohet të startojnë në fundin e këtij viti.