Tirana dhe Vllaznia ndajnë nga një pike në Qemal Stafa
Janë luajtur 12 javë të kampionatit dhe pa dyshim ndeshja më e bukur e shijuar nga tifozët ka qenë kjo e djeshmja mes Tiranës dhe Vllaznisë. Takim që ka dhuruar lojë të bukur, gola, emocione të shumta, por edhe tension. Dy skuadrat më me traditë të futbollit shqiptar e kanë justifikuar përqendrimin e vëmendjes te sfida me tyre dhe kur loja është e bukur dhe me shumë emocione mbeten të kënaqur të gjithë. Entuziazmi nga shkallët e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" filloi të ndihet ende pa nisur takimi, pasi rivaliteti ndihet edhe në radhët e tifozëve. Nga Shkodra drejt Tiranës janë nisur një numër i madh mbështetësish të Vllaznisë, të cilët bënë që skuadra e tyre e zemrës të ndihej si në shtëpinë e saj. Madje "zhurmën" më të madhe në "Qemal Stafa e bënë ata, ndoshta sepse ishin më të shumtë në numër.
Ndeshja nisi shumë e shpejtë nga të dyja skuadrat, me raste të pastra që në minutat e para. Në fillim ishin shkodranët që rrezikuan, por edhe bardheblutë nuk mbetën pas. Dhëmbi i Vllaznisë është në një ditë të mirë, por edhe i pafat, sepse në disa raste të pastra, i vetëm përballë Nallbanit, nuk ka mundur ta dërgojë tipin në rrjetë. Deri në minutën e 30-të janë shënuar shumë raste, thuajse të gjitha në portën e Nallbanit, i cili ka qenë në një ditë të shkëlqyer. Por goli nuk do të vononte. Atë që nuk e bëri Dhëmbi, e arriti ganezi Boadu, që në pozicion paska të prirët, por fare pranë portës, e ka dërguar topin në rrjetë. Vllaznia kryeson sapo kanë kaluar 30 minuta nga pjesa e parë si rezultat i një loje mjaft efikase në sulm, ku Dhëmbi dhe Boadu sjellin pështjellim në mbrojtjen bardheblu. Minutat e mbetura të pjesës së parë flasin për vendësit, që kërkojnë golin e brazimit, por pa mundur ta gjejnë atë. Slishkvioviç nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të presë vërshëllimën e gjyqtarit Jemini, për të ndryshuar diçka në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë është krejt ndryshe nga e para. Vllaznia, që kryesonte me meritë, ka menduar më shumë për mbrojtjen, për ta goditur kundërshtarin nëpërmjet kundërsulmit. Tirana është ajo që bën lojën, kurse Vllaznia skuadra që di të mbrohet, por edhe të rrezikojë me ganezin Boadu, që në shumë raste është kapur në pozicione të dyshimta jashtë loje. Nga mesi i pjesës së dytë Slishkoviç ka bërë dy ndërrime njëkohësisht. Sefa i ka lënë vendin Deliallisit, kurse Dabulla Arapit. Futja e Arapit ka për qëllim kalimin e Lilës në vijën e parë, çka trajneri Slishkoviç e kishte aplikuar në seancat e fundit stërvitore. Presioni i bardhebluve është i madh, por goli duket ende larg. 10 minuta para përfundimit të takimit, vjen goli i Devollit. Vllaznia, që deri në atë moment ishte mbrojtur mjaft mirë, gabon në goditjen standarde. Tirana merr krahë dhe synon ta fitojë ndeshjen, por edhe Vllaznia nuk përqendrohet vetëm te mbrojtja. Minutat e fundit shënojnë raste në të dyja portat, derisa vjen vërshëllima e Jeminit, që ligjëron barazimin në shifrat 1-1.
Deklarojnë
Blazhe Slishkoviç, trajner i Tiranës:
"Si loja jonë dhe e Vllaznisë ishte me dy fytyra. Kundërshtarët tanë krijuan shumë raste në pjesën e parë dhe si rrjedhojë erdhi goli i avantazhit. U munduam të ndryshonin diçka që në dhomat. Në pjesën e dytë lojtarët u futën me zemër në fushë dhe arritëntë barazonin. Për mendimin tim, barazimi ishte i drejtë për të dyja skuadrat."
Agim Canaj, trajner i Vllaznisë:
"E filluam shumë mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste të pastra shënimi. Mund ta kishim mbyllur takimin që në pjesën e parë, por realizuam vetëm një gol. Në pjesën e dytë menduam më shumë për mbrojtjen, për ta goditur kundërshtarin nëpërmjet kundërsulmit. Mendoj se në lojën tonë ndikuan mungesat e disa lojtarëve. Mendoj se rezultati ishte i drejtë. U kënaqëm ne edhe publiku. Gjithashtu jam i kënaqur edhe nga gjykimi."
Superliga, java e 12-të
Tirana – Vllaznia 1-1
Teuta – Dinamo 0-0
Partizani – Lushnja 0-0
Flamurtari – Besa 2-0
Apolonia – Elbasani 2-2
Bylis – Shkumbini 2-1
Renditja
1. Tirana 23 pikë
2. Vllaznia 22
3. Shkumbini 19
4. Dinamo 18
5. Elbasani 17
6. Teuta 17
7. Besa 16
8. Flamurtari 16
9. Bylis 15
10. Apolonia 13
11. Partizani 8
12. Lushnja 8