E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova: Policët tanë janë rrëmbyer! KFOR nis hetimet

Nga arrestimi i dy policëve kosovarë në rajonin e Merdarës nga forcat serbe

Arrestimi i policëve kosovarë, KFOR-i nis hetimet në vendngjarje.

Serbia, masë ndalimi 48 orëshe ndaj dy policëve kosovarë.

Jehona që mori kjo çështje në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët dhe thirrjet për një hetim ndërkombëtar, kanë bërë që KFOR-i të ngrejë një komision ushtarak hetimi. Ky komision ka dalë në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin. Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri mëngjesin e së premtes, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha se ata kishin shkelur zonën e gjelbër, marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO në vitin 1999, ku thuhet se në këtë brez toke mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe. Autoritetet në Prishtinë besojnë se policët ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, duke nxitur lirimin e policëve të cilët fillimisht do të mbahen 48 orë në burgun e Kurshumlisë. Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes përfaqësuesit special të BE-së, Samuel Zhbogar, ti shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e rrëmbyer. I jemi drejtuar me shkresa Komisionit Europian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, tha Rexhepi.
Ngjarja po hetohet edhe nga EULEX-i. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në detyrë është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Ndërsa qeveria e Republikës së Kosovës, në arrestimin e saj që të premten, e cilësoi arrestimin e dy policëve një akt qyqar dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte. Edhe organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së e dënuan ashpër këtë akt. Ne nuk jemi të befasuar nga këto gjëra që i bën Serbia, sepse ajo ka qenë, është dhe siç po shihet, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë, shtet kriminal, thuhet në reagimin e tyre. Në Maqedoni, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e ka quajtur arrestimin e dy policëve kosovarë marketing politik në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Ai tha për RTK-në se pas zgjedhjeve të majit në Serbi, bashkësia ndërkombëtare do tu tërheqë vërejtjen autoriteteve serbe që mos të hidhen më në aventura të tilla provokuese. Ndërsa zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, e ka cilësuar veprimin e Policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare. Partitë shqiptare në Maqedoni kërkuan që Beogradi zyrtar të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antieuropiane dhe ti lirojë policët e arrestuar padrejtësisht.

Tirana, kritika Beogradit
Qeveria shqiptare e ka cilësuar aktin e rrëmbimit të policëve kosovarë si kriminal e të ulët. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktin e ulët të rrëmbimit të dy policëve të Republikës së Kosovës, thuhet në deklaratën e Tiranës zyrtare. Ne vlerësojmë se akte të tilla kriminale, të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike, nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë në rajon mes vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, thuhet në deklaratë, ku kërkohet gjithashtu nga autoritetet përgjegjëse në Beograd, të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen.

LSI, AK
LSI e ka dënuar arrestimin e dy policëve kosovarë në zonën e Merdarës, duke e quajtur një provokim i turpshëm nga ana e Serbisë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, denoncoi aktin provokativ të rrëmbimit të dy punonjësve të Policisë së Republikës së Kosovës, që provokon rëndë klimën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Ndërsa Aleanca Kuq e Zi ka reaguar mbi arrestimin e dy policëve kosovarë nga forcat serbe në kufi, duke e cilësuar aktin si të paprecedentë dhe një provokim të hapur.

Hakerat kosovarë sulmojnë 19 faqe uebi serbe
Illyrian Hackers Group, grupi i hakerave shqiptarë, i është përgjigjur arrestimit të dy policëve të Kosovës në kufirin me Serbinë, me sulm ndaj 19 faqesh serbe uebi. Në secilën prej faqeve të sulmuara janë lënë mesazhe politike. Sipas mediave kosovare, në mesazhe thuhet se të gjitha arrestimet e bëra nga Serbia janë të qëllimshme dhe pa arsye dhe se Republika e Kosovës nuk mund të rrëzohet nga arrestimi i dy policëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›