Shqipëria me Miqtë e Sirisë shtojnë presionin ndaj Asadit

Edmond Haxhinasto
Miqtë e Sirisë, një koalicion prej mbi 80 vendesh, përfshirë edhe Shqipërinë, u mblodh të dielën në Stamboll për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm për planin e paqes, të ofruar palëve në Siri, vendin e përgjakur nga konflikti prej më shumë se një viti. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, i bëri thirrje Presidentit sirian, Bashar al Asad, të zbatojë planin e paqes të cilin e ka pranuar, por jo zbatuar, dhe të ndalë gjakderdhjen. Miqtë e Sirisë njohën Këshillin nacional Sirian të Opozitës (SNC) si përfaqësues legjitim të të gjithë sirianëve, dhe e emërtoi atë si bashkëbiseduesin kryesor të opozitës me komunitetin ndërkombëtar, duke treguar se njohja nuk ishte e plotë dhe vendet janë të përçara për këtë vendim. Vëzhguesit e të drejtave të njeriut në Siri kanë deklaruar se të paktën 41 persona kanë humbur jetën të dielën, ndërsa mbahej konferenca në Stamboll. Në Homs u kryen pesë bombardime në lagjet ku qëndrojnë opozitarët. Në një komunikatë përfundimtare, Miqtë e Sirisë thanë se Regjimi do të gjykohet nga sjellja dhe jo premtimet. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia si dhe aleati i Sirisë, Irani, nuk kanë marrë pjesë në konferencën e Stambollit. Ndërsa Shqipëria u përfaqësua nga zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Ai theksoi ndër të tjera se çështja e të drejtave të njeriut nuk është një çështje e brendshme e shteteve, por përgjegjësi e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Ministri Haxhinasto shtroi nevojën për intensifikimin e presionit ndaj regjimit aktual të Damaskut, jo vetëm politikisht, por dhe nëpërmjet një aksioni të përqendruar të të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë. Ai theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të përpjekjeve të OKB, BE, Lidhjes Arabe dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë në drejtim të ndalimit të dhunës ndaj popullsisë civile nga regjimi i Damaskut dhe krijimit të kushteve për një proces demokratik. Ministri Haxhinasto theksoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për opozitën demokratike siriane, të përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar Sirian, si dhe luftën e saj për liri, dinjitet njerëzor dhe progres. Ministri Haxhinasto zhvilloi një numër takimesh me homologë të tij të vendeve të tjera, duke i informuar mbi ecurinë e procesit të integrimit të vendit në BE.